Buja e madhe që shkaktoi aderimi i Dr. Mustafë Bajramit, në Lëvizjen Vetëvendosje, vazhdon të zë hapësirë të merituar në mediat shqiptare. Sidomos tek ne në Kosovë. Në mediet kosovare u cilësua edhe si aderimi më “bombastik” që është bërë në Lëvizjen Vetëvendosje, shkruan Kosova Post.
Bajrami sot ka shkruar për atmosferën politike të re që po krijohet në Kosovë.
Sipas tij, kualiteti i njerëzve që po aderojnë aty, e të cilët nesër do ta përfaqësojnë Lëvizjen në Kuvendin e Kosovës, është refleksion i atmosferës së përgjithshme të vetë Lëvizjes.
“Kjo lëvizje gjithëpopullore, tani e tutje i ka vënë vetes për detyrë të përqendrohet në kualitete njerëzore po aq sa deri më tani ishte i rëndësishëm kuantiteti i njerëzve të cilët e përfaqësonin atë dhe qytetarët në Kuvend”, ka thënë Dr. Bajrami.
Për më tepër, ai ka shkruar se është nderë dhe detyrë primare e Vetëvendosjes të bëjë gjithçka që duhet në përmirësimin e imazhit të Kuvendit të Kosovës.
“Në Kuvendin e Kosovës të merr malli të dëgjosh një debat vërtet politik, e ku në të shumtën e rasteve dëgjon diskutime të thata prej studentësh që duan të tingëllojnë si profesorë”, janë fjalët e Albin Kurtit të cilat i citon në shkrimin e tij, Z. Bajrami.
Bazuar në shifra dhe fakte evidente, Lëvizja Vetëvendosje është bërë organizimi më i madh shqiptar në mërgatë nga të gjitha subjektet politike shqiptare ndonjëherë.
Me atë gamë kaq të madhe anëtarësh, aktivistësh e simpatizantësh si dhe me 13 qendra në mërgatë, një në Shqipëri dhe një tjetër në Maqedoninë e Veriut me 4 mijë anëtarë, Lëvizja Vetëvendosje përtej të qenurit parti politike, si një frymë gjithëpopullore që po përhapet gjithandej, ajo po frymëzon dhe po mbledh rreth vete të rinjtë nga të katër anët e botës.
Kjo lëvizje gjithëpopullore pra, si e tillë që është, tani e tutje i ka vënë vetes për detyrë të përqendrohet në kualitete njerëzore po aq sa deri më tani ishte i rëndësishëm kuantiteti i njerëzve të cilët e përfaqësonin atë dhe qytetarët në Kuvend. S’do mend se kjo cilësi i mungonte cilësdo partie politike kudo qoftë në gjeografinë shqiptare.
Së këndejmi, përveç tjerash, për Lëvizjen Vetëvendosje po mbetet përgjegjësi primare që ta kthejë dinjitetin e Kuvendit dhe besueshmërinë e qytetarëve në te. Deri më tani kemi qenë dëshmitarë të një përkeqësimi të skajshëm të parlamentarizmit në Kosovë. “Në Kuvendin e Kosovës të merr malli të dëgjosh një debat vërtet politik, e ku në të shumtën e rasteve dëgjon diskutime të thata prej studentësh që duan të tingëllojnë si profesorë” (Albin Kurti).
E them botërisht dhe pa pikë hezitimi: Në Kosovë dhe më gjerë po ndodhë diçka e re. Një parti politike jona si asnjëherë më parë në historinë e politikës shqiptare, po përqendrohet në përzgjedhjen e njerëzve më të mirë, të përgatitur e të pjekur politikisht, si dhe të aftë e të ndërgjegjshëm për detyrën e rëndësishme të deputetit. E jo të shikohet vetëm në numra.
Jam i bindur edhe unë se ky është një proces që kërkon bashkëpunim dhe mirëkuptim të thellë, natyrisht edhe punë të madhe për ta kthyer në Kuvend vlerën e fjalës dhe peshën e mendimit….!