Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov, në një takim që zhvilloi në Pentagon me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se një përshkallëzim i mundshëm i tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës do të shkaktojë pasoja katastrofike për të gjithë Evropën, transmeton Kosova Post.
Ministri Renikov zhvilloi takime në Washington, teksa Rusia vazhdon grumbullimin e saj ushtarak në zonat në afërsi të kufirit me Ukrainën, shkruan AA.
Në një deklaratë me shkrim nga Pentagoni lidhur me takimin e zhvilluar me sekretarin Austin, thuhet se “Ministrat diskutuan një sërë çështjesh të sigurisë përfshirë edhe veprimet destabilizuese të Rusisë në rajon dhe u dakordësuan që të punojnë së bashku ngushtë për të përparuar prioritetet e përbashkëta në kuadrin e Mbrojtjes Strategjike SHBA-Ukrainë të nënshkruar më 31 gusht”.
Austin, në një deklaratë të shkurtër për shtyp përpara takimit, theksoi se “Pres me padurim për të diskutuar se si të vazhdojmë të përparojmë prioritetet tona të përbashkëta kundër agresivitetit rus dhe se si të zbatojmë (në kuadrin e Mbrojtjes Strategjike SHBA-Ukrainë) këtë kornizë për të thelluar bashkëpunimin tonë në fushat e tilla si për sigurinë e Detit të Zi, ndarjen e mbrojtjes kibernetike dhe inteligjencës”.
Reznikov tha se përgëzon marrëdhëniet strategjike të Ukrainës me SHBA-në dhe ndihmën e saj për t‘iu kundërvënë agresivitetit rus.
Ai tha se Ukraina është e vendosur që të zhvillojë partneritetin e saj me SHBA-në, sipas tij, për t‘iu kundërvënë kryesisht sulmeve hibride ruse.
“Në Ukrainë e dimë shumë mirë se Rusia mund të përshkallëzojë tensionin çdo moment. Jemi të gatshëm të mbrojmë vendin tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë. Ky përshkallëzim i mundshëm sigurisht që do të shkaktojë pasoja katastrofike për të gjithë Evropën. Nëse do të ndodhë apo jo, kjo varet kryesisht nga uniteti dhe vendosmëria e botës së qytetëruar kundër këtij agresioni”.