Në mesin e parregullsive në Prishtinë janë edhe mbeturinat, të cilat shihen gati në çdo cep e shpesh edhe në shporta të stërmbushura.
Ato që tashmë mund të shihen çdokënd po i shqetësojnë qytetarët, ku disave, kundërmimi i tyre po i pengon edhe në shëndet.
E njëri prej tyre, Islam Kuleta mendon se përgjegjësia është edhe e qytetarëve.
“Sigurisht është e vështirë, është shumë, se të gjithë me thënë jemi me një moshë, edhe është vapë e madhe, është nxehtë i madh. Ndoshta jemi edhe pak të sëmurë këtu. Se ajo erë e mbeturinave nuk mundet me qenë e pastër. Nuk është thënë veç në gjuhën popullore, por duhet edhe ajri me qenë pastërtia…Komuna shumë mirë i ka prurë ata kontejnerët. Por komuna nuk ka thënë me i rrëzuar e me i hedhë mbeturinat për tokë. Por kjo ka të bëjë me vetëdijen. Se këta janë mbushur, s’mund t’i nxjerrin”, tha Kuleta.
Ndërsa qytetari Qerim Begolli thotë se e ka mbuluar Prishtinën bërlloku, e “fajin” i’a hedh kryetarit Përparim Rama.
“Përparim Rama veç me thanë që është kryetar se kurrfarë zgjidhje nuk bën. S’di çka të them, e ka mbulua bërlloku Prishtinën ne s’kemi çfarë të bëjmë. Kështu është jeta e qytetarëve të Kosovës. Është tmerr kjo, tmerr”, tha ai.
Derisa Bajram Dibrani qytetar, gjithë këtë situatë e cilëson si një turp dhe se paraqet papastërti.
“Marre për neve është. Sot e kom pa, e inqizojshin një vend me kamerë, me telefon bërllogun. E nuk është mirë kështu. Po më vjen keq veç kjo është papastërti. Nuk po e marrin, s’po punojnë. Qysh duhet me punuar, s’po punojnë. Me qenë me punuar me i hequr, mirë është. Mos me i lënë. Marre është për neve. Këta të jashtit me i pa, pasha Allahun marre është”, tha Dibrani.
Kjo problematikë i bëri bashkë të mërkurën në një takim, kryetarin Rama dhe kryeshefin e ndërmarrjes “Pastrimi”, Petrit Reçica.
Këtu u hodhën në pah vështirësitë e kësaj ndërmarrjeje pasi që “Pastrimi” menaxhon dhe pesë komuna tjera, e Prishtina që ka më shumë banorë po ngec në grumbullimin e mbeturinave.
E kohëve të fundit ka pasur mjaftë ankesa nga qytetarët për vonesa në grumbullimin e mbeturinave, e për këtë kryetari Rama për KosovaPress tha se gjenden në një situatë emergjente.
“Mendoj që ne kemi faktikisht një situatë emergjente të vazhdueshme. E shohim edhe këtu që kemi probleme teknike me me kamionë. Tash ndoshta po ja lë drejtorit të diskutojë rreth këtyre çështjeve, por për mua si kryetar, mua më intereson që kryeqyteti me qenë i pastër. Që qytetarët ta shohin qytetin e pastër, po në të njëjtën kohë i lus edhe qytetarët që të jenë të ndërgjegjshëm edhe të na ndihmojnë në këtë proces”, tha Rama.
Kryeshefi i “Pastrimit”, Petrit Reçica potencoi se nuk e gjeti ndërmarrjen “në gjendje të kënaqshme” kur mori postin dhe theksoi faktin që pajisjet e stërvjetëruara nuk ofrojnë shërbime.
“Ndërmarrja ka pasur telashe të vazhdueshme edhe në kohën kur jam ardh kryeshef. Kemi gjetur një situatë jo të mirë, jo të kënaqshme. Sot qysh e përmendët edhe pjesën që ju referuat edhe kryetarit, të pajisjeve, janë pajisje të stërvjetëruara dhe nuk arrijnë me ofruar shërbim. Ne si menaxhment për një kohë dhe një periudhë i kemi dhënë fokus me i ë tejkaluar ato shkeljet ligjore që i kemi gjetur në vazhdimësi”, tha ai.
Një ditë pas, Rama thirri takim me kryetarët e komunave që menxhohen nga kjo ndërmarrje publike mirëpo pozitivisht iu përgjigjen vetëm kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti dhe ai i Drenasit, Ramiz Lladrovci dhe munguan i pari i Podujevës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës.


























