Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur kërkesat për dënimin e të akuzuarve në gjykimin për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë.
Në fjalën përfundimtare, Prokuroria kërkoi që Hashim Thaçi të dënohet me 6 vjet burgim, ndërsa për Bashkim Smakajn, Isni Kilajn dhe Fadil Fazliun kërkoi nga 3 vjet burgim për secilin. Për Hajredin Kuçin, ZPS-ja kërkoi 9 muaj burgim.
Prokurori Joshua Hafetz kërkoi gjithashtu që të gjithë të akuzuarit të shpallen fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës.
“Prokuroria kërkon që të merrni një vendim që përputhet me ligjin, provat dhe faktet. Pra, fajtorë për të gjitha pikat e aktakuzës bazuar në peshën e rëndë të veprave penale dhe tërësinë e faktorëve që merren parasysh në dënimin e zbatueshëm në këtë rast”, tha Hafetz.
Ai më pas paraqiti kërkesat konkrete për dënimet ndaj të akuzuarve.
“Prokuroria kërkon që të jepni një vendim siç është kërkuar; për Kuçin 9 muaj burgim, për Fazliun 3 vjet burg, Kilajn 3 vjet burgim, Smakajn 3 vjet burgim dhe Thaçin 6 vjet burgim, që do të vuhet në vijim të ndonjë dënimi që mund të jepet në çështjen 6, nëse do të jepet”, deklaroi prokurori.


























