Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se ka dhënë urdhër të përkohshëm ndalues për mjete motorike të cilat me datë 20 maj 2025 i janë zënë të dyshuarit S.V., në fshatin Popovcë të Leposaviqit, pasi i njëjti ishte duke gërmuar shkëmbin me makineri të rëndë dhe pa leje përkatëse për ta zhvilluar këtë veprimtari.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me këtë rast është dhënë urdhër i përkohshëm ndalues për mjetet motorike: Një kamion i markës Volvo 380 ngjyrë e kaltër me tabela vendore regjistrimi, një bager Ulta 150 L ngjyrë e verdhë pa dokumente.
Ndërkaq, për këtë rast ndaj të dyshuarit S.V., është hapur rast për veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit”.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që cenojnë mjedisin, dhe do të vazhdojë me vendosmëri të ndjekë penalisht të gjithë ata që shkaktojnë dëme ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët”, thuhet në njoftim.