Në disa qytete të Kosovës janë zhvilluar sot protesta të organizuara nga degët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Tubimet janë mbajtur nën moton “Jo në emrin tim”, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur mbështetje për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Protestë në Gjakovë
Në protestën e organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, qindra qytetarë të Gjakovës, të tubuar në qendër të qytetit, kanë kundërshtuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Avdyl Zeneli nga OVL në Gjakovë tha se veteranët janë të indinjuar me vendimin e Gjykatës.
“Ne si veteranë jemi thellësisht të indinjuar me vendimin e Gjykatës. Liderët tanë që e themeluan UÇK-në, që e bindën gjithë botën se ne kemi të drejtë, sot padrejtësisht po mbahen në Hagë. Ne kërkojmë liri për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin, Calin dhe Pejtrin që padrejtësisht po mbahen atje sepse lufta është zhvilluar në Kosovë, ne nuk kemi lëvizur nga ky vend”, tha Zeneli.
Asmon Rama, djali i heroit Agron Rama, tha se janë mbledhur për të kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Sot jemi mbledhur këtu për të kërkuar lirimin e krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen padrejtësisht në Hagë. Ne qëndrojmë pranë familjarëve sot sikurse qëndruan baballarët tanë në kohët më të vështira që kishte vendi ynë. Kërkojmë që zëri ynë për liri të dëgjohet dhe lavdi gjithmonë për UÇK-në”, tha ai.
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, bëri thirrje për unitet.
“Duke e mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së, ne nuk po e mbrojmë vetëm të kaluarën, por po mbrojmë edhe të ardhmen e shtetit tonë, kujtesën e brezave dhe të drejtën tonë për të treguar historinë ashtu siç është. Sot duhet t’i lëmë anash të gjitha dallimet politike, të gjitha partitë shqiptare duhet të bashkohen rreth një çështjeje që është më e madhe se secila parti dhe më e madhe se secili individ”, tha Krasniqi.
Protestë edhe në Deçan
Edhe në komunën e Deçanit është kundërshtuar vendimi i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Protestuesit kanë thënë se protestat nuk do të ndalen përderisa, sipas tyre, të vendoset drejtësia për çlirimtarët.
“Jo në emrin tim” në Dragash
Vala e protestave është shtrirë edhe në Dragash, ku veteranët e luftës kanë organizuar tubimin me moton “Jo në emrin tim”.
Ish-i burgosuri politik Bedri Halimi bëri thirrje që protestat të zhvillohen në mënyrë dinjitoze.
“Ne nuk e harrojmë as ndihmën e madhe të NATO-s dhe të aleatëve tanë, duhet të protestojmë dinjitetshëm, pa ofendime partiake e ndërpartiake, e ndërpersonale, dhe pa ofendime të faktorit euroamerikan, i cili e ka dhënë ndihmën madhore për lirinë e pavarësinë e Kosovës. Ne kemi mospajtim vetëm me Gjykatën e Hagës, e cila edhe pse quhet e Kosovës, vetëm e Kosovës nuk është”, tha Halimi.
Sali Shala nga OVL e UÇK-së në Dragash tha se historia e lirisë nuk mund të rishkruhet.
“Sot nga ky Shesh i Sharrit, me zemrat plot krenari por edhe dhimbje, ne po përsërisim me zërin tonë të qartë, ‘Jo në emrin tonë’, historia e lirisë sonë nuk mund të rishkruhet”, tha Shala. 
Protesta edhe në Suharekë dhe Malishevë
Protesta kundër vendimit të Gjykatës Speciale janë zhvilluar edhe në Suharekë dhe Malishevë.
Edhe në këto komuna, tubimet janë mbajtur në kuadër të protestave me moton “Jo në emrin tim”.
Qytetarër protestojnë në Ferizaj
Nën moton “Jo në emrin tim”, qytetarë të Ferizajt kanë protestuar sot ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së.
Në protestë kanë folur Afrim Mehmeti, kryetar i degës së OVL-UÇK-së në Ferizaj, Dioleta Rexhepi, vajza e dëshmorit të kombit Ramadani Rexhepi, dhe këngëtari ferizajas Veli Sahiti.
Ata kanë kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së dhe që, sipas tyre, ata të shpallen sa më parë të pafajshëm.
Në fjalimet e tyre është theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. 
Protesta edhe në qytete të tjera
Sipas orarit të publikuar më herët nga OVL-UÇK, protesta ishin paralajmëruar edhe në disa qytete të tjera të Kosovës.
Në Podujevë protesta ishte paraparë të mbahej në orën 17:00 në Sheshin “Zahir Pajaziti”, në Istog në orën 17:00 në Parkun e Qytetit, në Rahovec në orën 17:00 në Sheshin e Qytetit, në Deçan në orën 17:00 në Qendrën e Qytetit dhe në Gjilan në orën 17:00 para Teatrit të Qytetit.
Në Kaçanik protesta ishte paralajmëruar për orën 17:30 në Sheshin e Qytetit, ndërsa në Drenas në orën 17:30 në Sheshin “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”.
Në Prizren protesta ishte paraparë për orën 19:00 në Shadërvan, ndërsa në Prishtinë për orën 21:00 në Sheshin “Skënderbeu”.


























