Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka bërë një postim në Facebook ku ka theksuar rëndësinë e qeverisjes së përgjegjshme, bashkëpunimit institucional dhe fokusit ndaj qytetarëve.
Ai ka shkruar se qeverisja është, në thelb, përgjegjësi ndaj qytetarit, duke shtuar se obligimi ynë moral dhe politik është i qartë, të ofrojë qeverisje që u shërben qytetarëve me përgjegjësi, bashkëpunim dhe respekt të ndërsjellë.
Sipas tij, politika nuk duhet të jetë qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar të mirën publike, ndërsa thekson se Prishtina ndodhet në një “moment të rëndësishëm historik dhe zhvillimor”.
Rama ka përmendur edhe projektet madhore të kryeqytetit, përfshirë përgatitjet për Lojërat Mesdhetare, duke thënë se “ne nuk po ndërtojmë vetëm infrastrukturë moderne, por po ndërtojmë identitetin dhe perspektivën e një kryeqyteti europian”.
Ai ka nënvizuar gjithashtu nevojën për stabilitet politik, duke deklaruar se qytetarët nuk jetojnë në parti, jetojnë në komunitet të përbashkët, dhe se “ne jemi një popull, një shtet”.
Në postimin e tij, Rama ka bërë të ditur edhe bashkëqeverisjen në Prishtinë me disa parti politike, duke theksuar se qëllimi është për një qasje gjithëpërfshirëse dhe funksionale.
Në fund, ai ka shtuar se “Kosova nuk ka nevojë për më shumë krizë e polarizim, por për institucione funksionale, bashkëpunim dhe vizion për zhvillim”.


























