Rusia po zhvendos përforcime në rajonin perëndimor të Kurskut

Rusia po zhvendos përforcime në rajonin perëndimor të Kurskut, raporton media shtetërore, ndërsa sulmi i befasishëm ndërkufitar i Ukrainës vazhdon për të katërtën ditë. Raportet sugjerojnë se trupat ukrainase po operojnë më shumë se 10 kilometra brenda territorit rus – përparimi më i thellë ndërkufitar nga Kievi që kur Moska filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt 2022.

 

Mijëra njerëz duket se janë evakuuar nga rajoni Kursk i Rusisë pas një inkursioni nga forcat ukrainase.

Mediat ruse kanë shfaqur zyrtarët rusë duke ndihmuar banorët gjatë evakuimit, ndërsa  është shpallur gjendja e jashtëzakonshme në rajon.

Ndërkohë, zyrtarët ukrainas thonë se 10 persona janë vrarë dhe 35 janë plagosur në një sulm në një supermarket në rajonin e vijës së parë të Donetskut.

“Terroristët rusë goditën një supermarket të zakonshëm dhe një zyrë postare. Ka njerëz nën rrënoja,” ka shkruar presidenti Volodymyr Zelenskiy në X.

Të enjten vonë, presidenti ukrainas tha se Moska duhet të “ndiejë” pasojat për pushtimin e saj në Ukrainë – por nuk e përmendi drejtpërdrejt situatën në Kursk.

Pavarësisht vendosjes së trupave rezervë dhe urdhrave për evakuim, Rusia ende nuk ka qenë në gjendje të ngadalësojë vrullin e avancimit ukrainas.

Sulmi i fundit ukrainas duket më serioz se sa sulmet brenda Rusisë që kemi parë në të kaluarën si ai në qytetin Belgorod. Qindra ushtarë me automjete të blinduara mendohet se kanë arritur deri në 10 kilometra  në territorin rus duke tronditur ushtrinë ruse dhe Kremlinin.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish