Sekuestrohet ar i padeklaruar në Hani të Elezit

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka realizuar një operacion të suksesshëm në pikën kufitare Hani i Elezit, ku është zbuluar dhe parandaluar një rast kontrabande me ar të padeklaruar, përcjell KosovaPost.

Sipas njoftimit, rreth orës 16:10, mbi bazën e informatave inteligjente, autoritetet kanë ndaluar për kontroll të detajuar një autobus të linjës së rregullt Serbi – Maqedonia e Veriut. Automjeti drejtohej nga shtetasi serb me inicialet M.L.

Gjatë kontrollit të vijës së dytë, në çantën e një pasagjereje me inicialet J.H. janë zbuluar stoli ari të ndryshme, përfshirë varëse dhe unaza, të fshehura në një qese të mbyllur. Ndërkohë, gjatë kontrollit personal të shoferit të autobusit, në xhaketën e tij janë gjetur disa rrathë dore dhe një medaljon ari.

Policia ka bërë të ditur se ‘sasia totale e arit të sekuestruar arrin në 129.76 gram dhe nuk ishte e deklaruar në pikën kufitare, në kundërshtim me rregullat doganore në fuqi’. Malli është konfiskuar dhe është dërguar për procedura të mëtejshme, ndërsa vlera e tij pritet të përcaktohet nga Dogana e Kosovës.

Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës kanë ritheksuar përkushtimin e tyre në luftën kundër kontrabandës dhe krimit ndërkufitar, duke theksuar se kontrollet dhe veprimet e tilla do të vazhdojnë me intensitet të shtuar për të garantuar sigurinë dhe rendin në kufijtë e Republikës së Kosovës.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish