Nga: Agim Vuniqi
Deklarata e fundit e Daut Haradinajt në emisionin “Rubikon” kapërcen çdo kufi të diskursit normal politik në një vend demokratik. Duke pretenduar se në protestën e 6 tetorit kundër Gjykatës Speciale “me dhjetëra protestues kanë pasë bomba me vete” dhe se deputetët e votuan ligjin nga frika e gjakderdhjes, Haradinaj sapo përshkroi një skenar klasik të një sulmi apo kërcënimi terrorist ndaj institucioneve më të larta të Republikës.
Ky qëndrim kërkon një reagim urgjent dhe të prerë nga Prokuroria e Shtetit. Në një shtet ku sundon ligji, deklarata të tilla nuk mund të kalojnë si thjesht “retorikë televizive”. Nëse një figurë publike ka dijeni për elemente të armatosura që shantazhojnë votën e deputetëve dhe kryeministrit, mbajtja e këtij informacioni të fshehur deri më sot përbën shkelje të rëndë ligjore. Në të kundërt, nëse kjo është një ujdi narrative për të arsyetuar votën apo për të krijuar tensione artificiale, dëmi ndaj sigurisë kombëtare është i pallogaritshëm.
Ajo që pamë dhe dëgjuam nuk ka asnjë lidhje me mbrojtjen e vlerave të pastra të luftës çlirimtare. Përkundrazi, ky tregim i dhunshëm e zhvleftëson dhe e kriminalizon protestën qytetare. Kur pretendohet se ligjet në Kosovë miratohen nën kërcënimin e bombave, humbësi i vetëm është sovraniteti i Kosovës.
Ky është saktësisht skenari që ushqen propagandën e qarqeve ruse dhe serbe. Çdo demonstrim apo glorifikim i forcës brenda Prishtinës përdoret nga Beogradi për të argumentuar se Kosova nuk ka kapacitet të vetëmenaxhohet dhe se zgjidhja e vetme është rikthimi te Rezoluta 1244. Kalkulimi i ish-gjeneralit është krejtësisht i gabuar. Kosova e vitit 2026 nuk mund të udhëhiqet nga frika e as nga logjika e forcës jashtëinstitucionale. Prokuroria duhet të flasë, sepse kur hesht ligji, fillon anarkia.


























