Komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, në deklaratën e tij lamtumirëse ka vlerësuar përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, duke theksuar se siguria afatgjatë nuk mund të arrihet përmes mjeteve ushtarake, por përmes zgjidhjeve politike.
Në mesazhin e shpërndarë për media, Ulutash ka rikujtuar se trupat e NATO-s u vendosën në Kosovë në qershor të vitit 1999, kur rreth 55 mijë ushtarë nga 36 shtete kontribuuan në përpjekjet për vendosjen e paqes.
Ai ka theksuar se, që nga ajo kohë, mijëra pjesëtarë të KFOR-it kanë ndihmuar në krijimin e kushteve për stabilitet dhe zhvillim ekonomik e shoqëror në vend.
Sipas Ulutashit, situata e sigurisë në Kosovë është dukshëm më e mirë krahasuar me vitin 1999, ndërsa institucionet vendore të sigurisë kanë shënuar zhvillim dhe kanë shtuar kapacitetet e tyre.
Ai ka vlerësuar gjithashtu kontributin e Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në ruajtjen e sigurisë publike për të gjitha komunitetet.
Megjithatë, komandanti ka bërë të ditur se KFOR-i vazhdon të jetë reaguesi i tretë i sigurisë në Kosovë, me prani në të gjithë territorin dhe gatishmëri për të ndërhyrë në rast të rrezikut për përkeqësimin e situatës.
Ulutash ka rikujtuar edhe njoftimin e NATO-s në qershor për përshtatjen graduale të pranisë së KFOR-it, si përgjigje ndaj përmirësimit të situatës së sigurisë. Ky proces, sipas tij, po zhvillohet në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Ai ka ritheksuar se NATO-ja mbetet e përkushtuar përmes KFOR-it për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë banorët, si dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes.
“Rruga drejt sigurisë së qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake. Ajo është politike”, ka deklaruar Ulutash.
Në këtë drejtim, ai ka theksuar se KFOR-i do të vazhdojë të mbështesë edhe dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, dialogu përbën kornizën për trajtimin e çështjeve të pazgjidhura dhe gjetjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve.
Në letrën e tij lamtumirëse, Ulutash ka falënderuar pjesëtarët e KFOR-it për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar gjatë shërbimit në Kosovë. Mirënjohje ka shprehur edhe për institucionet vendore, Policinë e Kosovës, EULEX-in, Bashkimin Evropian, UNMIK-un, misionin e OSBE-së dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë për bashkëpunimin.
Ai ka shprehur falënderim të veçantë për qytetarët e Kosovës për besimin e treguar ndaj KFOR-it, duke e cilësuar nder shërbimin mes tyre.
Ndërkaq, udhëheqjen e misionit të KFOR-it do ta marrë gjeneralmajori italian Roberto Vergori, i cili ka shërbyer edhe më parë në Kosovë.
Ai pritet të marrë detyrën më 14 tetor.
Në përfundim të mesazhit, Ulutash ka theksuar se suksesi i KFOR-it mbështetet në bashkëpunimin dhe punën e përbashkët si një ekip.


























