Vjosa Osmani, presidente e Republikës së Kosovës, ka ftuar partitë politike në një takim konsultativ, për ta diskutuar çështjen e ndikimit të procesit zgjedhor, në situatën epidemiologjike në vend, transmeton Kosova Post.
Sipas njoftimit zyrtar, takimi pritet të mbahet këtë të hënë.
Më saktë, në këtë takim do të diskutohet opinioni profesional dhe rekomandimi i Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.
Kjo është Letra e Presidentes Osmani drejtuar partive politike:
I/e nderuar,
Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S., Vjosa Osmani- Sadriu ju fton në takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.
Takimi konsultativ do të mbahet të hënën, më 13 shtator 2021, në ora 16:30, në sallën C301, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Me të mira,
ZPRK . /KosovaPost/