Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprat penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe “falsifikim i dokumenteve”, në një rast që lidhet me tjetërsimin e pronave me vlerë milionëshe në Prizren.
Sipas njoftimit të policisë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pas një hetimi disa mujor në kuadër të rastit të koduar “Pronat në Prizren”, ka realizuar urdhër kontrolli dhe sekuestrimi të përkohshëm në rajonin e Prishtinës dhe Mitrovicës. Urdhri ishte lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda.
Policia bëri të ditur se gjatë kontrolleve, të dyshuarit janë shoqëruar në polici, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin falsifikuar dokument-letërnjoftimin e Serbisë të një viktime që kishte vdekur disa dekada më parë. Sipas hetimeve, ata më pas kishin prezantuar një person tjetër në mënyrë fiktive dhe kishin realizuar marrëveshje të procedurës së ndërmjetësimit tek ndërmjetësuesi.


























