Komisioni Evropian ka pezulluar importet e mishit nga Brazili për shkak të shqetësimeve lidhur me përdorimin e antibiotikëve, pasi Brazili nuk arriti ta bindte BE-në se produktet e tij janë në përputhje me standardet evropiane, raporton Euronews.
Vendimi ka hyrë në fuqi të enjten, më 3 shtator, ndërsa Brazili aktualisht nuk është në listën e vendeve që përmbushin rregullat e BE-së për përdorimin e antimikrobikëve.
“Ne kemi rregulla që ndalojnë përdorimin e antimikrobikëve ose përdorimin e tyre për nxitjen e rritjes”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova.
“Më 3 shtator hyn në fuqi lista e vendeve që, në thelb, i përmbushin rregullat tona për antimikrobikët”, shtoi ajo.
Sipas Euronews, pezullimi përfshin mishin e viçit, mishin e shpendëve, vezët dhe mjaltin.
Importet e disa produkteve mund të rifillojnë pas një auditimi për mishin e shpendëve dhe mjaltin, i cili ka nisur mbi bazën e garancive me shkrim të ofruara nga Brazili.
Auditimi pritet të zgjasë deri në fund të javës, ndërsa përfundimet do të kërkojnë më shumë kohë.
Hrncirova tha se garanci të tilla nuk janë ofruar për mishin e viçit, duke shtuar se ato duhet të mbulojnë të gjithë ciklin jetësor të kafshëve, i cili është më i gjatë te gjedhët.
Ambasadori i Brazilit në BE, Pedro Miguel da Costa e Silva, kishte deklaruar për Euronews se diskutimet teknike me Komisionin ishin në vazhdim. Megjithatë, Brazili nuk arriti ta parandalonte hyrjen në fuqi të pezullimit.
Vendimi vjen në një kohë kur importet e mishit brazilian janë në qendër të kundërshtimeve ndaj marrëveshjes së tregtisë së lirë të nënshkruar në janar të vitit 2026 nga Komisioni me vendet e Mercosur-it – Brazilin, Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain.
Fermerët e BE-së akuzojnë prodhuesit e Amerikës Latine se nuk i respektojnë standardet fitosanitare dhe të sigurisë ushqimore të bllokut, duke argumentuar se kjo u jep produkteve latino-amerikane një avantazh të padrejtë në tregun e BE-së. /Euronews


























