Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka qëndruar në Gjermani, ku ka zhvilluar një takim në Ministrinë e Brendshme të Bavarisë, në Republikën Federale të Gjermanisë, me homologun e tij, Joachim Herrmann, përcjell KosovaPost.
Në këtë takim, Sveçla thotë të ketë shprehur mirënjohjen e shtetit të Kosovës ndaj shtetit gjerman, që vazhdon të mbetet aleati ynë si në shtetndërtim ashtu edhe në ngritje të kapaciteteve tona.
Ai tha se temë diskutimi, mes tjerash, ishte edhe çështja e njohjes së patentshoferëve të Kosovës nga Gjermania, për çka tha se jemi në fazën finale.
“Duke pasur parasysh që një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve tanë jetojnë në zonën e Bavarisë dhe në gjithë Republikën e Gjermanisë, biseduam për politika konkrete që lehtësojnë jetën dhe angazhimet e tyre atje. Ne tanimë jemi në fazën finale të njohjes së patentshoferëve të Republikës së Kosovës nga Gjermania dhe këta janë hapat tanë konkretë në këtë drejtim”, deklaroi ministri i Brendshëm.
Tutje, ai tha se biseduan për prioritetet e Kosovës në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin socio-ekonomik veçanërisht tani gjatë përballjes me pandeminë Covid-19.
“Liberalizimi i vizave për qytetarët tanë, anëtarësimi në Bashkimin Evropian dhe në Interpol janë synimet tona për të cilat e njoftova që jemi duke u angazhuar intensivisht për ti realizuar dhe që natyrisht kemi nevojë edhe për angazhimin dhe ndihmën e tyre. Diskutuam për thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Bavarisë dhe Policisë së Kosovës, bashkëpunimin në shkëmbim të informatave dhe zgjerim të bashkëpunimit bilateral të Ministrive tona, që padyshim do të lehtësojnë zbatimin e prioriteteve tona dhe për të gjitha këto kishte gatishmëri të plotë nga z. Herrmann”, theksoi Sveçla.
Ai tha se ka ftuar ministrin Herrmann të vizitojë Republikën e Kosovës “që ta njoftojmë nga afër me punën dhe arritjet tona”.