Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dërguar një letër kryetares së Komunës së Preshevës në Serbi, Ardita Sinani, ku i shpreh mbështetjen e Tiranës zyrtare për të gjithë shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Letra është bërë publike nga vetë kryetarja Sinani në një postim në Facebook.
Letra e plotë:
Ju falënderoj përzemërsisht për urimin tuaj aq të ngrohtë e miqësor me rastin e fitores në zgjedhjet e përgjithshme politike për një mandat të ri qeverisës.
Duke ju përcjellë këtë mesazh falënderimi, unë kam rastin e duhur të shpreh gjithë vlerësimin tim për angazhimin dhe përkushtimin tuaj në krye të Komunës së Preshevës, në mirëqeverisjen e qytetarëve të saj dhe në mbrojtjen e avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Dua t’ju siguroj se bashkëpunimi ynë do të vazhdojë të rritet e forcohet, si shprehje e vëmendjes dhe përkujdesjes së Qeverisë shqiptare ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe angazhimit të saj të qëndrueshëm në mbrojtjen dhe përparimin e të drejtave të tyre, si edhe në rritjen dhe forcimin e zhvillimit ekonomik dhe standardit jetësor të shqiptarëve në Luginë.
Edhe një herë, me urimet e mia më të mira për ju dhe me besimin se në një kohë të përshtatshme do të jem përsëri mes qytetarëve të Preshevës, pranoni ju lutem, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”.