Vuçiq kandidat për kryeministër, protesta në Nish kundër regjimit të tij

Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, synon të rikthehet në pozitën e kryeministrit. Në fakt, Partia Përparimtare Serbe (SNS) ka vendosur që në zgjedhjet e ardhshme të garojë me listën “Aleksandër Vuçiq – Serbia e Bashkuar”, ndërsa presidenti aktual është propozuar kandidat për kryeministër.

 

Vendimi është marrë në mbledhjen e Komitetit Kryesor të SNS-së, të mbajtur në Nish.

Pas vendimit, Vuçiq ka deklaruar se kandidatura për të është një “nder i madh”, ndërsa ka vlerësuar punën e bërë nga partia gjatë viteve të fundit.

Duke folur për zgjedhjet e ardhshme, Vuçiq tha se pret që qytetarët të japin vlerësimin e tyre për punën e pushtetit.

Ai ka folur edhe për protestat dhe bllokadat e zhvilluara në Serbi, duke i kritikuar organizatorët dhe duke i akuzuar për përpjekje për destabilizimin e vendit.

Vuçiq ka përmendur gjithashtu tragjedinë në Novi Sad dhe raste të tjera të rënda, duke pretenduar se, sipas tij, kundërshtarët politikë janë përpjekur t’i shfrytëzojnë ato për qëllime politike.

Në fjalimin e tij, presidenti serb ka kritikuar edhe qëndrimet e disa zyrtarëve evropianë lidhur me zhvillimet në Serbi dhe çështjet që lidhen me Kosovën.

Ndërkohë, në Nish janë shënuar protesta të qytetarëve dhe studentëve që kundërshtojnë ardhjen e Vuçiqit në këtë qytet, ku po mbahet mbledhja e Komitetit Kryesor të SNS-së.

Sipas raportimeve nga mediat serbe, policia ka vendosur kordonë në disa pika për të penguar protestuesit që t’i afrohen ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Nish, ku po mbahet mbledhja e SNS-së.

Qytetarët kanë protestuar me fishkëllima, vuvuzela dhe thirrje kundër presidentit serb, ndërsa kanë kërkuar nga policia që t’i lejojë të vazhdojnë drejt vendit ku po mbahet tubimi i SNS-së.

Një zyrtar i Policisë së Nishit u është drejtuar protestuesve dhe u ka kërkuar të mos tentojnë të çajnë kordonin policor, duke thënë se zona është e sigurisë së shtuar për shkak të pranisë së personave të mbrojtur.

Protestuesit kanë tentuar më pas të arrijnë në ndërtesën e Teatrit Kombëtar përmes një rruge alternative, por edhe aty janë përballur me një tjetër kordon policor.

Sipas raportimit të televizionit N1, në një moment protestuesit kanë arritur ta anashkalojnë kordonin, ndërsa ka pasur vrapime mes tyre dhe policisë në drejtim të ndërtesës së teatrit. Në terren është angazhuar edhe xhandarmëria serbe.

Raportohet se gjatë protestës disa vezë janë hedhur në drejtim të policëve, ndërsa protestuesit kanë brohoritur kundër policisë dhe regjimit të Vuçiqit.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish