Wikipedia ka ndryshuar pjesën hyrëse të biografisë së ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke hequr nga përshkrimi fillestar formulimin “kriminel lufte i dënuar”, përcjell KosovaPost.
Në versionin e mëparshëm, në hyrje të faqes thuhej se “Hashim Thaçi është politikan kosovar dhe kriminel lufte i dënuar”. Pas ndryshimit, ai prezantohet në pjesën hyrëse si “politikan kosovar”, ndërsa më pas përmenden postet që ka mbajtur, përfshirë atë të kryeministrit, ministrit të Jashtëm, zëvendëskryeministrit dhe presidentit të Kosovës.
Ndryshimi nuk nënkupton heqjen e çështjes gjyqësore nga biografia. Informacionet rreth procesit gjyqësor ndaj Thaçit vazhdojnë të jenë të përfshira në pjesën tjetër të artikullit.
Ndryshimi i përshkrimit ka ardhur pas reagimeve dhe kundërshtimeve në Kosovë lidhur me formulimin e përdorur më parë në hyrje të artikullit.
Për këtë çështje kishte reaguar edhe profesori i UBT-së, Blerton Abazi, i cili e kishte ngritur më herët këtë temë. Pas ndryshimit, ai shkroi:
“Pjesa ballore e tekstit u ndryshua, ndërsa poshtë është shtuar shpjegimi i gjithë procesit. Nuk është më e mira, por megjithatë në hapje të faqes nuk figuron teksti i mëparshëm.”


























