23 ditë protestë në Shqipëri

Protesta kundër projektit të investimit në zonën e Zvërnecit ka hyrë sot në ditën e saj të 23-të. Qytetarët u mblodhën në Tiranë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj zhvillimit të projektit turistik, duke e konsideruar atë si një rrezik për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore.

Tubimi nisi në Sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit u pajisën me pankarta dhe flamuj kombëtarë, ndërsa më pas marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri para Kryeministrisë.

Me ardhjen para Kryeministrisë është kënduar himni kombëtar, ndërsa aktivistë dhe qytetarë kanë marrë fjalën duke përsëritur thirrjet për anulimin e projektit dhe duke shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj qeverisë. Kjo protestë është qytetare dhe nuk ka simbole partiake, ku qytetarët kërkojnë “largimin e të gjithë kastës së vjetër politike”.

“Për 30 e ca vite kjo kastë politike nuk ka zgjidhur asnjë problem të qytetarëve, por kanë bërë ligje vetën në interes të një grup njerëzish. Zvërneci ishte vetëm shkëndija për popullin e lodhur nga kjo klasë politike. Nga ky bulevard do dalin ata që do ndërtojnë Shqipërinë e re. Kjo lëvizje është pa kthim pas, nuk do lodhemi”, tha një protestues.

Sipas organizatorëve, lëvizja qytetare është strukturuar tashmë mbi pesë kërkesa kryesore, të cilat ata i konsiderojnë të panegociueshme: Dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, Krijimi i një Qeverie Teknike, Shfuqizimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtura, Shfuqizimi i Ligjit për Investimet Strategjike, Anulimi i projektit të njohur si “Paketa e Maleve”

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit do të vijojnë marshimin në rrugë të tjera të kryeqytetit, duke paralajmëruar se do të vazhdojnë aksionet e tyre deri në realizimin e kërkesave.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish