Merz: BE-ja duhet të tregojë gatishmëri për zgjerim

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se Bashkimi Evropian duhet të tregojë më shumë përkushtim ndaj procesit të zgjerimit, duke theksuar se mungesa e anëtarësimeve të reja gjatë 13 viteve të fundit tregon se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi vendet kandidate.

 

Para nisjes së Samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, Merz u tha gazetarëve se integrimi i vendeve të rajonit mbetet një objektiv i rëndësishëm për të ardhmen e Evropës.

“Kjo pjesë e Evropës e ka vendin në Bashkimin Evropian. Fakti që për 13 vjet nuk është pranuar asnjë anëtar i ri tregon se ka pasur mangësi edhe nga vetë BE-ja”, deklaroi ai.

Kancelari gjerman bëri të ditur se për çështjen e zgjerimit ka zhvilluar bisedime edhe me presidentin francez Emmanuel Macron, me të cilin kanë shqyrtuar mundësitë për avancimin e procesit të anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, Gjermania dhe Franca kanë paraqitur propozime konkrete për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren në këtë drejtim.

Megjithëse pranoi se rruga drejt anëtarësimit mbetet sfiduese, Merz u shpreh optimist se përparimi është i mundur dhe se BE-ja duhet të veprojë më shpejt, veçanërisht në raport me Malin e Zi.

“Kemi ende shumë punë për të bërë, por objektivat janë të arritshme. Synojmë që procesi të ecë përpara me ritëm më të shpejtë, sidomos kur bëhet fjalë për Malin e Zi”, tha ai.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish