Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë kanë organizuar një punëtori konsultative për themelimin e Institutit Kombëtar Kërkimor për Energjinë, i cili parashihet të funksionojë në Parkun për Inovacion dhe Trajnim (ITP) në Prizren.
Në punëtori morën pjesë përfaqësues të Qeverisë, shoqërisë civile, sektorit privat, profesorë, ekspertë dhe partnerë ndërkombëtarë. Gjatë saj u prezantua koncepti për themelimin e institutit, i përgatitur me mbështetjen teknike të qeverisë gjermane përmes Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).
Në fjalën hyrëse, kryeministri Albin Kurti foli për rëndësinë e forcimit të kapaciteteve kombëtare për kërkim, hulumtim, inovacion dhe hartim të politikave të mirëinformuara.
“Kur diskutojmë për tranzicionin energjetik, zakonisht mendojmë për termocentrale, panele solare, turbina ere dhe linja transmisioni. Megjithatë, asnjëra nga to nuk mund të ndërtohet pa njohurinë që i paraprinë. Para se të ndërtohen kapacitete të reja, dikush duhet të bëjë matje, të bëjë llogari dhe të mendojë thellë. Kjo njohuri nuk shfaqet vetvetiu. Ajo duhet të krijohet, mirëmbahet dhe të ruhet, ose do të humbasë”, tha Kurti.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e kërkimit dhe zhvillimit, duke thënë se ndërkombëtarisht ato definohen si punë kreative dhe sistematike me qëllim të rritjes së fondit të njohurive.
Sipas Kurtit, qëllimi i institutit për energji duhet të jetë krijimi i një hapësire ku ruhet njohuria dhe i një institucioni me kujtesë, e jo një projekt që fillon dhe përfundon me një grant apo një raport që mbetet në sirtar pas prezantimit.


























