“Çnjerëzimi i ‘të tjerëve’ ishte një hap kyç në procesin e përgatitjes së Serbisë për luftërat e viteve ’90. Në media, fillimisht kroatët dhe shqiptarët paraqiteshin si kërcënim ekzistencial për serbët, ndërsa më pas edhe myslimanët u bënë objekt i një propagande gjithnjë e më intensive. U krijua një narrativë në të cilën komunitete të tëra paraqiteshin si armiqësore, të rrezikshme dhe më pak të vlefshme. Kjo përgatitje ideologjike ishte hyrje në krimet që më pas u kryen në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë”, thotë për RTKLive kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
Të gjitha mediat botërore dhe rajonale më 27 gusht publikuan lajmin se i dënuari për gjenocid, Ratko Mlladiq, kishte vdekur në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, pasi kishte pësuar disa goditje në tru.
“Ishte oficer i ushtrisë së një tresheje brutale, e cila në planin politik drejtohej nga ish-presidenti jugosllav Slobodan Millosheviq dhe ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, ndërsa ish-Jugosllavia po zhytej në masakra pas rënies së komunizmit”, shkruajtën mediat franceze.
E përditshmja parisiene ‘Le Monde’ shkruan se Ratko Mlladiqi ishte arkitekti kryesor ushtarak i projektit të “Serbisë së Madhe”.
“Mlladiqi nuk ishte arkitekti i politikës që çoi në gjenocid dhe krime masive, por zbatuesi i saj më i rëndësishëm ushtarak. Kjo, natyrisht, në asnjë mënyrë nuk e zvogëlon përgjegjësinë e tij individuale. Përkundrazi, roli i tij në zbatimin e kësaj politike ishte vendimtar”, thotë për RTKLive kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko.
Sipas saj, përgjegjësia për luftërat e viteve ’90 nuk mund të kufizohet vetëm te disa liderë ushtarakë dhe politikë që përfunduan para Tribunalit të Hagës.
“Në seancën e Kuvendit të Republikës Srpska, të mbajtur në mesin e majit të vitit 1992, Mlladiqi paralajmëroi hapur se realizimi i objektivave të përcaktuara të luftës nga udhëheqja serbe në Pale nënkuptonte – gjenocid. Me këtë ai tregoi qartë se ishte i vetëdijshëm për natyrën e politikës që duhej zbatuar dhe pasojat që ajo do të kishte.
Megjithatë, arkitektët kryesorë të kësaj politike nuk ndodheshin vetëm në Pale apo në shtabet e luftës; shumë prej tyre mbetën jashtë rrezes së drejtësisë dhe vazhduan të vepronin nga institucionet në Beograd – në qarqet akademike dhe kulturore, në strukturat e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe shërbimet e sigurisë, si dhe në aparatin politik dhe mediatik që krijonte bazën ideologjike për luftën.
Ajo luftë nuk filloi në vitin 1991 si një shpërthim i papritur i dhunës nacionaliste”, thotë Sonja Biserko.
RTKLive: Por, kur filloi?
Biserko: Lufta ishte përgatitur për një kohë të gjatë – politikisht, ideologjikisht dhe përmes propagandës. Veçanërisht e rëndësishme është periudha nga fundi i viteve ’80 deri në vitin 1991, kur mediat e Beogradit sistematikisht krijonin një atmosferë frike, kërcënimi dhe armiqësie.
Fushatat e zhvilluara në rubrika si “Jehona dhe reagimet” në gazetën e Beogradit ‘Politika’ ishin pjesë e një procesi më të gjerë të mobilizimit të opinionit publik dhe përgatitjes së shoqërisë për konfliktet që pasuan.
Çnjerëzimi i “të tjerëve” ishte një hap kyç në këtë proces. Fillimisht kroatët dhe shqiptarët paraqiteshin si kërcënim ekzistencial për serbët, ndërsa më pas edhe myslimanët u bënë objekt i një propagande gjithnjë e më intensive.
U krijua një narrativë në të cilën komunitete të tëra paraqiteshin si armiqësore, të rrezikshme dhe më pak të vlefshme. Kjo përgatitje ideologjike ishte hyrje në krimet që më pas u kryen në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.
Prandaj është problematike kur mediat perëndimore edhe sot e paraqesin Mlladiqin si një figurë thuajse të izoluar apo si personifikim të së keqes së tërësishme të luftërave të viteve ’90. Kjo tregon se edhe pas tri dekadash nuk është kuptuar plotësisht se nga nisi ky proces dhe sa e gjerë ishte infrastruktura që e mundësoi atë.
Politika që Mlladiqi zbatonte në planin ushtarak kishte ideologët, institucionet, mediat dhe strukturat e saj të sigurisë.
RTKLive: Lajmi për vdekjen e Ratko Mlladiqit shkaktoi një shpërthim të nacionalizmit në Serbi dhe në entitetin Republika Srpska. Kush mund të jetë befasuar nga kjo?
Biserko: Vetë vdekja e Ratko Mlladiqit nuk është ndonjë ngjarje e veçantë; ajo ishte e pritshme. Megjithatë, reagimet për të cilat po flisni nxorën në pah diçka që deri tani shpesh ishte lënë në plan të dytë – gjendjen shpirtërore në shoqërinë serbe dhe faktin se ideologjia që prodhoi luftërat e viteve ’90 nuk është zhdukur.
Po, shumëkush u befasua nga reagimet që u përhapën në mbarë botën: glorifikimi i Mlladiqit, paraqitja e tij si hero dhe kërkesat që atij t’i bëhej nderim shtetëror. Kjo është një qasje që është ushqyer sistematikisht prej vitesh. Vdekja e tij vetëm e bëri të dukshme atë që kishte qenë e pranishme gjatë gjithë kohës.
RTKLive: Çfarë konkretisht?
Biserko: U dëshmua se një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë ende nuk është e gatshme t’i pranojë humbjet dhe përgjegjësinë për luftërat e viteve ’90 dhe se zhgënjimi për rezultatet e atyre luftërave vazhdon të jetë shumë i thellë.
Në këtë kontekst duhet parë edhe koncepti i “botës serbe”, i cili nuk është vetëm shprehje e retorikës nacionaliste të pushtetit aktual, por përfaqëson vazhdimësi të projektit të Millosheviqit me mjete të tjera – diplomatike, politike, ekonomike dhe kulturore.
Qëllimi është që, përmes instrumenteve të ndryshuara, të ruhet dhe zgjerohet ndikimi politik, kulturor dhe i sigurisë i Serbisë në hapësirat ku jetojnë serbë.
Se bëhet fjalë për një proces shumë më të thellë dhe sistematik, e dëshmojnë edhe disa dokumente strategjike. “Strategjia për ruajtjen dhe forcimin e marrëdhënieve mes shtetit amë dhe diasporës” e vitit 2011 e përcakton Kishën Ortodokse Serbe si një nga shtyllat kryesore të veprimit të Serbisë në rajon dhe i jep asaj një rol të veçantë ndërkufitar.
RTKLive: Dokumenti për të cilin po flisni u miratua gjatë kohës së qeverisjes së Boris Tadiqit?
Biserko: Po. “Strategjia e sigurisë kombëtare” e vitit 2019, ndër prioritetet e saj, përmend në mënyrë eksplicite ruajtjen e entitetit të Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë.
“Karta për hapësirën kulturore serbe” e vitit 2021 e institucionalizon më tej idenë e një hapësire të unifikuar kulturore serbe, duke nxitur ruajtjen e identitetit të veçantë të serbëve në shtetet fqinje, në vend të integrimit të tyre të plotë në shoqëritë e Bosnje e Hercegovinës, Malit të Zi dhe shteteve të tjera ku ata jetojnë.
Idetë e paraqitura në këto dokumente tregojnë se pushtetet ndryshojnë, por ideja e Serbisë së Madhe mbijeton.
Një aspekt tjetër i kësaj çështjeje është qëndrimi i Perëndimit. Sot shumë politikanë dhe analistë perëndimorë habiten me reagimet ndaj vdekjes së Mlladiqit, por është e vështirë të anashkalohet fakti se ndaj Serbisë për dekada është vepruar sikur bëhet fjalë për një shtet që, me disa probleme të vogla, është në rrugën drejt normalizimit dhe integrimit evropian.
RTKLive: Pse?
Biserko: Qeveritë perëndimore për vite me radhë e kanë mbështetur Aleksandar Vuçiqin, shpesh për hir të një stabiliteti të dukshëm politik dhe me pritshmërinë se Serbia gradualisht do të afrohej me Perëndimin.
Në të njëjtën kohë, ato kanë toleruar sjelljen e tij në rajon, rritjen e vazhdueshme të tensioneve, promovimin e “botës serbe”, presionet ndaj shteteve fqinje dhe armatosjen gjithnjë e më intensive të Serbisë.
Është mbyllur një sy edhe ndaj dokumenteve dhe politikave që tregonin për objektivat afatgjata të Beogradit; madje edhe politika e të ashtuquajturës neutralitet ushtarak të Serbisë shpesh është pranuar pa një shqyrtim serioz, ndonëse Serbia në të njëjtën kohë po armatosej me shpejtësi. Një politikë e tillë të kujton gabimet e viteve ’90.
RTKLive: Në çfarë kuptimi?
Biserko: Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, aktorët ndërkombëtarë merreshin me hartat e ndarjes etnike dhe gradualisht pranonin argumentin se “nuk mund të jetojmë së bashku”, të cilin Beogradi ia kishte imponuar me sukses komunitetit ndërkombëtar. Marrëveshja e Dejtonit e ndaloi luftën, por në të njëjtën kohë institucionalizoi ndarjen etnike dhe krijoi një shtet me një sistem politik thellësisht jofunksional.
Sot historia nuk përsëritet në të njëjtën mënyrë, por sërish po krijohen rrethana në të cilat elitat kombëtare përpiqen të shfrytëzojnë dobësinë ndërkombëtare.
Me tërheqjen e SHBA-së nga roli i mbështetësit kryesor të sigurisë në Ballkan, liderët lokalë ndihen më të lirë të promovojnë agjendat e tyre.
Kështu, lobistët e Milorad Dodikut çdo ditë promovojnë pavarësinë e entitetit të Republikës Srpska, ndërsa Beogradi vazhdon ta zhvillojë konceptin e “botës serbe”.
Në të njëjtën kohë, në Ballkan veprojnë edhe aktorë të tjerë – Rusia, Kina dhe Turqia – secili me interesat dhe agjendat e veta.
RTKLive: Çfarë po bën Bashkimi Evropian?
Biserko: BE-ja e ka humbur mundësinë që të angazhohej më seriozisht dhe në mënyrë afatgjatë në rajon. Politika e saj e kushtëzimit shpesh i ka lënë vend politikës së ‘stabilokracisë’ – tolerimit të liderëve autoritarë për hir të stabilitetit afatshkurtër.
Në këtë mënyrë, BE-ja gradualisht e ka humbur një pjesë të autoritetit të saj, ndërsa ideja e zgjerimit për shumë qytetarë të rajonit nuk përfaqëson më një perspektivë bindëse politike.
Në këtë kuptim, reagimet ndaj vdekjes së Mlladiqit nuk janë vetëm çështje e qëndrimit ndaj një krimineli të dënuar lufte, por simptomë e një problemi shumë më të thellë: faktit se ideologjia që prodhoi luftërat nuk është mposhtur në aspektin politik dhe shoqëror.
Ajo është përshtatur me rrethanat e reja dhe ka marrë instrumente të reja.
Luftërat jugosllave ishin një nga paralajmërimet e para të mëdha se absolutizimi i identitetit, kur shndërrohet në projekt politik dhe bashkohet me ambicie territoriale, mund t’i çojë shoqëritë drejt katastrofës.
Sot, në një botë që sërish ndodhet në një turbulencë të thellë gjeopolitike, ky paralajmërim bëhet më relevant se kurrë.
RTKLive: Ministri i Drejtësisë i Serbisë fillimisht njoftoi se do të organizohej varrim shtetëror për kriminelin e dënuar të luftës, Ratko Mlladiq, por më vonë e korrigjoi qëndrimin. A u paralajmërua Beogradi?
Biserko: Së pari, Mlladiqi është glorifikuar për dekada në Serbi; portreti i tij gjendet në grafite në mbarë vendin, ndërsa biografia e tij paraqitet si pjesë e heroizmit kombëtar. Kjo nuk është vetëm çështje e qëndrimit ndaj një krimineli lufte; në thelb, ky është një nga mënyrat se si fshihet fakti se në Srebrenicë është kryer gjenocid.
Srebrenica nuk mohohet gjithmonë drejtpërdrejt; shpesh mohohet duke e shndërruar autorin e gjenocidit në hero, ndërsa krimi reduktohet në një “krim të tmerrshëm” ose tragjedi lufte. Prandaj çështja e varrimit të tij është veçanërisht problematike. Ratko Mlladiqi nuk është personi i parë me një biografi të tillë që në Serbi mund të trajtohet si figurë e merituar.
Megjithatë, njoftimi i ministrit të Drejtësisë se ai do të varrosej me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake përbën një mesazh shumë të qartë politik. Është e vështirë të imagjinohet që ministri, në një çështje kaq të ndjeshme, të dilte me një njoftim të tillë pa një kontekst politik dhe koordinim.
Vuçiqi, siç e patë, shmangu konfirmimin e drejtpërdrejtë të varrimit shtetëror, por tha se, nëse familja vendos që Mlladiqi të varroset në Serbi, shteti do të ndihmojë që kjo të bëhet “me dinjitet dhe në mënyrë të denjë”. Ky është një hap në të njëjtin drejtim: shteti pranon të organizojë dhe mbështesë trajtimin me dinjitet të një njeriu që është dënuar përfundimisht për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
RTKLive: Kur në vitin 1983 vdiq ish-shefi i UDB-së jugosllave, Aleksandar Rankoviq, raporti zyrtar i policisë thoshte se në varrimin e tij në Beograd kishin marrë pjesë 104 mijë qytetarë. A do të shohim një “spektakël” të ngjashëm?
Biserko: Rankoviqi ishte unitarist dhe mbronte një Jugosllavi të centralizuar, gjë që në atë kohë kishte mbështetje të fuqishme në Serbi.
Ky koncept centralist, në forma të ndryshme, nuk është braktisur as sot, ndonëse në fund e dobësoi seriozisht edhe vetë Serbinë.
Mlladiqi, megjithatë, është simbol i projektit për të cilin Serbia luftoi gjatë luftërave të viteve ’90 – zgjerimit territorial dhe krijimit të një hapësire etnikisht homogjene.
Prandaj varrimi i tij mund të ketë një kuptim shumë më të gjerë sesa lamtumira ndaj një njeriu dhe mund të shndërrohet në një manifestim tjetër të ideologjisë nacionaliste dhe në konfirmim se ky koncept historik as sot nuk është tejkaluar plotësisht.
RTKLive: Serbia, përmes rrjetit të saj diplomatik, po përpiqet ta bllokojë rrugën e Malit të Zi drejt BE-së, ndërsa për pakicën serbe në Kosovë flet si për popullin më të rrezikuar në Evropë… Si mund të ndikojnë aktivitetet e Serbisë në këtë drejtim në marrëdhëniet në rajon?
Biserko: Mali i Zi sot është një nga vendet kyçe ku kryqëzohen perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor, por edhe ambicia e Beogradit për të ruajtur ndikimin politik dhe identitar në rajon.
Anëtarësimi i mundshëm i tij në BE në vitin 2028 ka rëndësi të veçantë gjeopolitike, sepse do të tregonte se integrimi evropian i Ballkanit Perëndimor mund të realizohet relativisht shpejt.
Në të njëjtën kohë, kjo do ta ngushtonte hapësirën për realizimin e konceptit të “botës serbe”, i cili Malin e Zi nuk e sheh vetëm si një shtet fqinj, por si pjesë të një hapësire më të gjerë kombëtare, kulturore dhe politike serbe.
Prandaj Beogradi përpiqet të ndikojë në zhvillimin politik të Malit të Zi dhe ta ngadalësojë rrugën e tij evropiane përmes kanaleve të ndryshme – para së gjithash përmes Kishës Ortodokse Serbe, por edhe përmes mediave, lidhjeve ekonomike, aktorëve politikë dhe rrjeteve të tjera me ndikim.
Sa i përket komunitetit serb në Kosovë, Beogradi mban përgjegjësinë më të madhe për gjendjen e tij të sotme, sepse ai është instrumentalizuar për dekada për realizimin e interesave politike të Beogradit.
Ndërkohë, Lista Serbe ka margjinalizuar ose penguar aktorë të tjerë serbë që ishin të gatshëm të dialogonin me Prishtinën dhe të përfaqësonin interesat konkrete të komunitetit të tyre.
Sot, komuniteti serb nuk ka as potencialin njerëzor dhe as atë politik për ta artikuluar në mënyrë të pavarur qëndrimin e tij ndaj Kosovës, ndërsa shpërngulja vazhdon si një trend prej disa dekadash.
“E humbëm Kosovën, por e fituam Vojvodinën”, thoshte Dobrica Qosiqi.
Edhe pse Vuçiqi praktikisht ka hequr dorë nga Kosova si objektiv real politik, Kosova vazhdon të shërbejë për mobilizimin e serbëve, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi.
RTKLive: Si?
Biserko: Duke ruajtur iluzionin se Kosova është ende Serbi, ndonëse ndarja e Kosovës për dekada ishte opsioni i vetëm për Beogradin, derisa konteksti ndërkombëtar, veçanërisht qëndrimi i Angela Merkelit, e mbylli përfundimisht atë mundësi. Megjithatë, Serbia ende shpreson se, në rrethana të ndryshuara ndërkombëtare, çështja e Kosovës mund të rihapet.
RTKLive: Kongresmenët Joe Wilson dhe Bill Keating, republikan dhe demokrat, kanë paraqitur në Kongres një ligj me emrin “Serbia”, në të cilin kërkojnë që qeveria amerikane të shtojë presionin ndaj presidentit Vuçiq, si dhe të vendosen sanksione dhe ndalim udhëtimi drejt SHBA-së për të gjithë personat që cenojnë paqen, stabilitetin dhe integritetin territorial të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Wilson thotë se autoritetet në Serbi janë kërcënim për rajonin, por edhe për një hapësirë më të gjerë të Evropës. Si e interpretoni këtë?
Biserko: SHBA-ja për dekada ka qenë ombrella e sigurisë për Ballkanin. Megjithatë, politika amerikane ndaj rajonit sot është e paparashikueshme, edhe pse në Uashington ende ka njerëz që e kuptojnë mirë dinamikën ballkanike dhe që e njohin saktë rolin e Serbisë në rajon. Vuçiqi prej vitesh e ka zgjeruar ndikimin përmes blerjes së mediave, projekteve ekonomike dhe, veçanërisht, strukturave të sigurisë. Mjafton të kujtojmë rastin e Banjskës, dërgimin e grupeve kriminale në Tivat në kohën e samitit të BE-së, praninë e strukturave serbe të sigurisë në Bosnje e Hercegovinë, si dhe paralajmërimin e Vuçiqit për “pjesën e dytë” në Mrkonjiq Grad me rastin e përvjetorit të “Stuhisë”. E gjithë kjo tregon se politika e tij në mënyrë të vazhdueshme prodhon jostabilitet të sigurisë në rajon.
Kësaj duhet t’i shtohet edhe armatosja e shpejtë e Serbisë, e cila përbën një burim shtesë shqetësimi për rajonin.
BE-ja, siç thashë, përballet me sfida të shumta, si nga Rusia, ashtu edhe nga SHBA-ja. Megjithatë, ekziston vetëdija se Ballkani po hyn në një fazë më të rrezikshme, prandaj BE-ja sot vepron në Ballkan para së gjithash nga perspektiva e sigurisë. Si një “çështje e papërfunduar”, është e qartë se Ballkani ka edhe rëndësi më të gjerë, sepse në këtë hapësirë sot ndërthuren aktorë të ndryshëm dhe agjenda të kundërta, pasojat e të cilave mund ta rrezikojnë drejtpërdrejt edhe sigurinë evropiane.


























