Shkruan: ABDULLAH KLINAKU
Partneriteti midis një aleati strategjik e mbështetësi të fuqishëm siç është ShBA dhe Kosovës duhet ndërtuar në mirëbesim e me strategji afatgjate, ku në qendër të vëmendjes është forcimi i shtetit tonë dhe i demokracisë në vendin tonë.
Kam përshtypjen se bashkëpunimi i politikës sonë me ShBA-në, më shumë është përqëndruar në interesin e ruajtjes së pushtetit të politikanëve tonë se sa në interesin e shtetit dhe demokracisë në vendin tonë. Madje, duke e keqpërdorur mirëbesimin e amerikanëve, politikanët tonë, janë përpjekur t’i keqinformojnë amerikanët dhe e kanë shantazhuar popullin e vet.
Rasti më i qartë është udhëkryqi diplomatik ku e kanë futur Kosovën me vendin e vendosjes së Ambasadës sonë në Izrael.
Prej ditës së parë kur e kam ngritur shqetësimin tim se hapja e Ambasadës në Jerusalem është dhunim i së drejtës ndërkombëtare dhe në kundërshtim me interesin tonë strategjik, shumë të tjerë e kanë përdorur kartën e shantazhimit se ShBA do t’i kundërvihet Kosovës për shkak të këtij hezitimi.
Deklarata e sotme e përfaqësuesit të Departamentit të Shtetit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, dhënë një mediumi serb deri sa ka folur për Serbinë ka thënë:
“Para se gjithash është vendim i Serbisë, se ku dëshiron që Ambasada të vendoset. E jona është në Jerusalem dhe aty do të mbetet”.
Thjeshtë e qartë, interesi i shtetit amerikan është mbajtja Ambasadës së tyre në Jerusalem, por, vendet e tjera vendosin në pajtim me interesin e tyre, pa imponim e pa detyrim.
Vendimi i Kosovës duhet të jetë në pajtim me interesin e saj strategjik, në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe duke injoruar në tërësi përpjekjen shantazhuese që po tentohet të krijohet nga disa media, politikanë apo opinionistë!