Kanë nisur të kthehen në Kosovë besimtarët myslimanë që këtë vit kryen Haxhin, një nga obligimet më të rëndësishme fetare në Islam.
Grupet e para të haxhilerëve kanë mbërritur në Aeroportin e Prishtinës, ku janë pritur nga familjarë dhe të afërm mes emocionesh të forta dhe momenteve prekëse.
Sipas njoftimit të Bashkësisë Islame të Kosovës, haxhilerët po kthehen me kujtime të paharrueshme nga vendet e shenjta, duke përmendur përjetimet në Qabe, Xhaminë e Pejgamberit a.s., Arafat, Muzdelife dhe lokacione të tjera të rëndësishme të pelegrinazhit.
Këtë vit, nga Kosova morën pjesë në Haxh gjithsej 1.567 besimtarë myslimanë. Procesi i kthimit është organizuar në disa grupe dhe pritet të përfundojë deri më 8 qershor.
Bashkësia Islame e Kosovës ka vlerësuar se organizimi i pelegrinazhit ka kaluar me sukses, ndërsa haxhilerët janë kthyer të lumtur pas përmbushjes së njërit prej obligimeve më të rëndësishme të fesë islame.


























