Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e Bruto Produktit Vendor për tremujorin e dytë të vitit 2022, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.
Sipas këtyre të dhënave Bruto Produkti Vendor në tremujorin e dytë të këtij viti ka shënuar rritje reale për 2.14%, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak.
“Aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin: Tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe shërbimit ushqimor me 12.58%, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse me 8.38%, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 7.48%, informacioni dhe komunikimi me 6.85%, artet, argëtimi dhe çlodhja, aktivitetet e prodhimit të mallrave të familjeve për përdorim të vet dhe shërbime të tjera me 5.54%, industria nxjerrëse dhe përpunuese, energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër, furnizimi me ujë, aktivitetet e trajtimit dhe menaxhimit të mbeturinave dhe rehabilitimi me 4.51%, bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 1.93%, aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 1.56%”, bëhet e ditur në publikimin e ASK-së.
Ky publikim që u përgatitë nga 9 ekspertë të ASK-së tregon edhe për aktivitetet ekonomike që shënuan rënie në tremujorin e dytë të këtij viti.
“Ndërtimtaria me -17.97%, Administrata Publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia me -0.64%”.
Po sipas këtij publikimi të ASK-së, komponentët e BPV-së sipas metodës së shpenzimeve që kishin rritje ishin: Eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 36.02%, importi i mallrave dhe shërbimeve me 4.57% dhe shpenzimet e konsumit final me 2.40%.
Ndërsa, rënie kishin: Formimi i bruto kapitalit me -16.81% dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me -2.81%.