Nga Prof. Afrim Bulliqi
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Atë e falënderojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga e keqja e vetvetes dhe nga veprat tona të këqija. Atë që Allahu e udhëzon, askush nuk mund ta devijojë, ndërsa atë që Ai e lë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetëm e të Pashoq, dhe dëshmoj se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i Tij.
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Njerëzit janë të ndryshëm. Ndryshojnë në karakter, në temperament, në mënyrën se si mendojnë, në mënyrën se si i shohin problemet dhe në mënyrën se si propozojnë zgjidhje. Edhe kur përballen me të njëjtën ngjarje, mund ta shohin atë nga këndvështrime të ndryshme.
Dallimi në mendime, përderisa mbetet brenda kufijve të arsyes, moralit dhe respektit, nuk është domosdoshmërisht problem. Përkundrazi, dallimet e mendimeve mund të jenë pasuri. Problemi fillon atëherë kur dallimi shndërrohet në armiqësi, kur mendimi shndërrohet në fanatizëm, kur bindja personale shndërrohet në përçmim të tjetrit dhe kur një çështje e veçantë bëhet shkak për ta copëtuar një shoqëri të tërë.
Prandaj, një prej sprovave më të mëdha të një populli nuk është vetëm se si sillet kur është i bashkuar në ditë të mira, por si sillet kur goditet nga ndonjë ngjarje e rëndë, kur emocionet janë të forta, kur padrejtësia perceptohet, kur zemërimi rritet dhe kur provokimet shtohen.
Këto ditë Kosova është përballur me një ngjarje që ka prekur thellë shumë familje dhe shumë qytetarë. Pardje më 16 shtator, Dhoma e Specializuar e Kosovës në Hagë shpalli aktgjykimin e shkallës së parë ndaj 4-shës së UÇK-së, të cilin e dijmë që të gjithë çfarë ishte.
Ky është një zhvillim i rëndë dhe i dhimbshëm për shumicën e popullit tonë. Por pikërisht në momente të tilla duhet të dëgjohet më fuqishëm zëri i fesë, i arsyes, i maturisë dhe i përgjegjësisë.
Sot nuk kemi nevojë për më shumë zemërim. Kemi nevojë për më shumë urtësi. Nuk kemi nevojë për përçarje. Kemi nevojë për bashkim. Nuk kemi nevojë për veprime të pamenduara. Kemi nevojë për maturi.
Sepse mënyra se si sillemi në këtë fazë nuk është çështje e vogël. Ajo mund t’u bëjë mirë atyre që janë në Hagë, mund t’i shërbejë interesit të shtetit tonë dhe mund të pengojë që kjo situatë të shfrytëzohet nga ata që duan destabilizimin dhe përçarjen e Kosovës.
Bashkimi është urdhër i Allahut
Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe kapuni të gjithë për litarin e Allahut e mos u përçani! Përkujtojeni dhuntinë e Allahut ndaj jush, kur ishit armiq, e Ai i bashkoi zemrat tuaja dhe, me dhuntinë e Tij, u bëtë vëllezër.” (Ali Imran, 103)
Ky ajet nuk është vetëm këshillë për ditët kur gjithçka shkon mirë. Ai bëhet edhe më i rëndësishëm kur shoqëria përballet me sprova. Sepse pikërisht atëherë shfaqet se sa e fortë është lidhja jonë me vlerat që predikojmë.
Në ditët e qeta, të gjithë mund të flasim për bashkim. Por bashkimi testohet atëherë kur kemi arsye për t’u zemëruar, kur kemi dhimbje, kur mendojmë se na është bërë padrejtësi dhe kur dikush përpiqet të na provokojë.
Aty duhet të tregojmë se jemi njerëz të parimeve, jo robër të emocioneve.
Allahu na paralajmëron: “Mos u grindni mes jush, e të dobësoheni dhe t’ju humbë fuqia.” (El-Enfal, 46)
Ky është një paralajmërim i madh: përçarja nuk është vetëm problem moral; ajo prodhon dobësi.
Kur një shoqëri është e bashkuar, e matur dhe e përgjegjshme, është më e vështirë të manipulohet. Kur ajo është e zemëruar, e përçarë dhe e drejtuar nga emocionet, bëhet shumë më e lehtë të provokohet dhe të përdoret.
Sprova e sotme kërkon maturi
Vëllezër të nderuar!
Në këto momente duhet ta kuptojmë një gjë shumë të rëndësishme:
Maturia nuk është dobësi. Reagimi i matur nuk është dorëzim. Vetëpërmbajtja nuk është frikë.
Njeriu mund të luftoi me padrejtësi pa bërë vet ai padrejtësi.
Mund të jetë i zemëruar dhe prapë të mos shkatërrojë.
Mund të mos pajtohet me një vendim dhe prapë të mos e dëmtojë vendin e tij.
Kjo është ajo që kërkon Islami.
Allahu thotë: “Le të mos ju shtyjë urrejtja ndaj një populli që të mos jeni të drejtë. Jini të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë.”
(El-Maide, 8)
Ky ajet është veçanërisht i fuqishëm në kohë emocionesh.
Edhe kur zemra dhemb, drejtësia nuk duhet të braktiset. Edhe kur zemërohemi, nuk duhet ta humbim kontrollin.
Mos ua bëni shërbimin atyre që presin përçarjen tonë
Në situata të tilla, gjithmonë ekziston rreziku që emocionet e një populli të shfrytëzohen nga individë ose aktorë që kanë interesa të ndryshme.
Prandaj, çdo qytetar duhet ta pyesë veten para çdo reagimi:
A po i shërben ky veprim Kosovës apo po e dëmton atë?
A po ndihmon njerëzit tanë në Hagë apo po ua vështirëson situatën?
A po e forcon unitetin apo po e çan shoqërinë?
A po ua prish planet atyre që dëshirojnë tensionim apo po bëhem, pa e kuptuar, pjesë e skenarit të tyre?
Sepse një reagim i pamatur mund të jetë pikërisht ajo që dikush tjetër pret.
Një provokim mund të jetë i vogël, por nëse përgjigjja jonë është e pakontrolluar, pasojat mund të jenë shumë më të mëdha.
Maturia jonë në këtë fazë nuk është dobësi. Vetëpërmbajtja nuk është frikë. Të mos biem në provokime nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga e drejta. Përkundrazi, sjellja e mençur dhe e përgjegjshme mund t’i prishë planet kujtdo që dëshiron ta shfrytëzojë këtë situatë për të shkaktuar përçarje, tensione apo destabilizim.
Le ta kuptojmë mirë: çdo veprim i pamatur mund t’u bëjë dëm pikërisht atyre për të cilët pretendojmë se po shqetësohemi. Ndërsa qetësia, uniteti dhe sjellja institucionale i shërbejnë edhe atyre që ndodhen në Hagë, edhe shtetit tonë, edhe shoqërisë sonë.
Prandaj, maturia jonë ua prish planet dashakeqësve dhe atyre që presin një përplasje.
Në vend të kësaj, ne duhet t’u tregojmë se një popull që ka kaluar nëpër luftë, humbje, shpërngulje dhe sakrifica nuk mund të lejojë që emocionet e një dite ta vënë në rrezik atë që është ndërtuar me dekada.
Beteja për drejtësinë vazhdon
Të nderuar vëllezër!
Aktgjykimi i 16 shtatorit është aktgjykim i shkallës së parë. Procesi juridik nuk përfundon domosdoshmërisht me këtë fazë; palët kanë të drejtë të ndjekin mjetet juridike të parashikuara në procedurë dhe do ti ndjekin.
Prandaj, në vend të reagimeve të pamenduara, duhet të kërkojmë që beteja për drejtësinë të vazhdojë në mënyrë të argumentuar, profesionale dhe ligjore.
Historia nuk gjykohet me britma e as nga një vendim arbitrar i një gjykate të këtillë.
Drejtësia nuk fitohet me dhunë.
E vërteta nuk mbrohet duke dëmtuar vendin tënd.
Prandaj ne nuk duhet ta masim drejtësinë vetëm me një ditë, një vendim apo një fazë të një procesi. Drejtësia kërkohet me durim, me argument, me punë dhe me këmbëngulje.
Përgjegjësia e shtetit
Por përgjegjësia nuk është vetëm e qytetarëve.
Në një situatë të tillë, institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësi të veçantë.
Shteti dhe organet e tij të sigurisë duhet të jenë në nivelin e detyrës. Duhet të jenë vigjilentë, profesionalë dhe të matur. Veçanërisht strukturat që merren me zbulim, inteligjencë, parandalim dhe vlerësim të rrezikut duhet të jenë të afta të identifikojnë me kohë çdo përpjekje për tensionim artificial, provokim, manipulim apo destabilizim.
Allahu thotë:“Ndihmojeni njëri-tjetrin në të mira dhe në devotshmëri, e mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi.” (El-Maide, 2)
Prandaj edhe institucionet, edhe qytetarët, edhe mediat, edhe figurat publike, edhe prijësit fetarë kanë një përgjegjësi të përbashkët: të mos lejojnë që një moment i rëndë të shndërrohet në krizë shoqërore.
Ne mund të kemi dallime, por nuk duhet t’i bëjmë armiqësi
Vëllezër të dashur!
Mund të kemi mendime të ndryshme për politikën.
Mund të kemi interpretime të ndryshme për një ngjarje të caktuar.
Mund të kemi qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të veprojë shteti.
Mund të kritikojmë institucionet.
Mund të mbrojmë njerëzit tanë.
Por asgjë prej këtyre nuk na jep të drejtën ta urrejmë njëri-tjetrin, ta poshtërojmë njëri-tjetrin apo ta dëmtojmë vendin tonë.
Madje, pikërisht këtu duhet ta kujtojmë mësimin e Profetit ﷺ kur dy sahabë patën dallim në mënyrën e leximit të një ajeti. Profeti ﷺ u tha: “Të dy keni vepruar mirë, por mos u përçani, sepse ata që ishin para jush u përçanë e u shkatërruan.”
Mesazhi është i madh: dallimi nuk duhet të na çojë në përçarje e as tronditja në kaos.
Sepse një shoqëri mund të ketë shumë mendime dhe prapë të jetë një shoqëri e papërçarë. Prandaj një shoqëri mund të ketë vetëm dallime dhe, nëse ato shndërrohen në urrejtje, ajo shoqëri copëtohet.
Mesazhi për xhematin
Prandaj, vëllezër të nderuar, në këto ditë le të jemi të qetë.
Le të mos përhapim lajme të pakonfirmuara.
Le të mos bëhemi pjesë e provokimeve në rrjete sociale.
Le të mos përdorim gjuhë urrejtjeje.
Le të mos e shajmë tjetrin vetëm pse mendon ndryshe.
Le të mos e dëmtojmë pasurinë publike.
Le të mos lejojmë që zemërimi ynë të shndërrohet në veprim që më vonë do të na vijë turp ta kujtojmë.
Sepse ndonjëherë forma më e fuqishme e rezistencës është vetëpërmbajtja.
Dhe ndonjëherë mënyra më e mirë për t’ua prishur planet atyre që duan trazira është pikërisht të mos ua japim trazirën që presin prej nesh.
Nëse dikush pret që Kosova të përçahet, le të na gjejë të bashkuar.
Nëse dikush pret dhunë, le të gjejë maturi.
Nëse dikush pret konflikt ndërmjet nesh, le të gjejë vëllazëri.
Nëse dikush pret destabilizim, le të gjejë një popull që di ta përballojë edhe dhimbjen më të madhe me dinjitet.
Vëllezër besimtarë!
Këto ditë nuk janë ditë për të harruar të kaluarën, por as ditë për ta dëmtuar të ardhmen.
Nuk janë ditë për të harruar sakrificën, por as për ta humbur arsyen.
Nuk janë ditë për të hequr dorë nga drejtësia, por as për ta kërkuar atë përmes padrejtësisë.
Drejtësia kërkohet. E vërteta mbrohet. Të pafajshmit mbrohen. Institucionet kritikohen kur duhet. Proceset juridike ndiqen deri në fund. Por shteti ruhet, shoqëria ruhet dhe paqja ruhet.
Ata që janë në Hagë kanë nevojë për mbështetje dhe për një shoqëri të përgjegjshme, jo për një Kosovë të destabilizuar.
Shteti ynë ka nevojë për qetësi, institucione funksionale dhe siguri.
Familjet tona kanë nevojë për paqe.
Fëmijët tanë kanë nevojë të shohin se edhe kur një popull përballet me një goditje të rëndë, ai nuk e humb kokën.
Dhe ne si besimtarë duhet të jemi ndër njerëzit e parë që e japim këtë shembull.
Sepse Allahu thotë:m“Mos u grindni mes jush, e të dobësoheni e t’ju humbë fuqia. Bëhuni të durueshëm, sepse Allahu është me durimtarët.” (El-Enfal, 46)
Dhe le të besojmë se beteja për drejtësinë mund të jetë e gjatë, por padrejtësia nuk është përfundimi i historisë; në fund, Allahu i jep fitoren së vërtetës dhe drejtësisë.
Allahu na dhëntë urtësi në fjalët tona, maturi në veprimet tona, drejtësi në gjykimet tona dhe bashkim në mesin tonë. Allahu e ruajtë Kosovën, paqen dhe sigurinë e saj, dhe na bëftë prej atyre që në kohë sprovash nuk e ushqejnë përçarjen, por e forcojnë drejtësinë, vëllazërinë dhe të mirën e përbashkët.


























