Analisti politik Ilir Deda ka reaguar lidhur me qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së në raport me negociatat e partisë së tyre me Lëvizjen Vetëvendosje për tejkalimin e ngërçit institucional.
Deda vlerëson se gjashtë deputetët është dashur që që në fillim të negociatave të deklaronin publikisht se nuk do ta përkrahnin asnjë marrëveshje të mundshme ndërmjet LDK-së dhe LVV-së.
Sipas tij, ata duhej të sqaronin gjithashtu se ishin të vendosur që Kosova të shkonte në zgjedhje të reja parlamentare, meqë, siç thekson Deda, janë kundërshtarë konsistentë të pushtetit aktual.
Ai ironizon edhe argumentet që mund të përdornin për të arsyetuar zgjedhjet e reja, duke thënë se do të duhej të shpjegonin gjatë pse ato nuk do t’i konvenonin LVV-së dhe pse nuk do ta dëmtonin LDK-në.
Deda ka ngritur edhe një pikë tjetër lidhur me pretendimin e tyre për institucionalizëm. Ai thotë se, nëse janë vërtet institucionalistë, gjashtë deputetët do të duhej t’i vinin nënshkrimet e tyre në dispozicion për një kërkesë drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkeljen e afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit.
Ndërkohë, Deda kërkon përgjigje edhe nga tre deputetë të këtij grupi për një çështje që lidhet me qëndrimet e tyre të mëparshme: pse vendimet e Kryesisë së LDK-së në vitin 2016 ishin obligative për ta, ndërsa vendimet e së njëjtës strukturë partiake në vitin 2026 nuk janë.
“Në këtë mënyrë do ta hiqnin nga vetja barrën e madhe që morën, si shkaktarët kryesorë të shkuarjes në zgjedhje të reja parlamentare”, shprehet Deda.


























