Zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë ndaluar 128 palë këpucë të markave të mbrojtura, gjatë një kontrolli në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit.
Rasti ka ndodhur më 3 korrik 2026, rreth orës 22:00, në Pikën e Kalimit Kufitar Hani i Elezit, ku zyrtarët doganorë kanë ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore.
Sipas njoftimit, drejtuesi i automjetit fillimisht ka deklaruar se nuk kishte mallra për deklarim. Pas dyshimeve, zyrtarët doganorë kanë kryer kontroll fizik të automjetit, ku në bagazh kanë zbuluar këpucët e dyshuara.
Për mallrat e gjetura nuk është paraqitur dokumentacion që dëshmon origjinën, importin e rregullt apo të drejtën për përdorimin dhe qarkullimin e produkteve.
Dogana e Kosovës ka bërë me dije se ndaj rastit është iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, ndërsa malli është ndaluar për procedura të mëtejshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.


























