Sot mbahet seanca fillestare ndaj dy kirurgëve, Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi që punonin në Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri, të cilët dyshohen për marrje ryshfeti.
Seanca ndaj dy mjekëve, Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi, po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, konkretisht në Departamentin e Krimeve të Rënda.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë edhe ndaj nëntë personave të tjerë, të cilët dyshohen se u kanë dhënë ryshfet mjekëve për operimin e familjarëve të tyre.
Sipas aktakuzës, mjeku Valdet Rexhepi, në gjashtë raste, ndërsa Ekrem Sefiu, në tri raste, dyshohet se kanë kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash në këmbim të ofrimit të shërbimeve të trajtimit mjekësor për pacientët.
Ndërkaq, nëntë të pandehurit e tjerë akuzohen se, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për vete apo për persona të tjerë, u kanë ofruar mjekëve shuma nga 50 deri në 300 euro, si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
Spitali i Vushtrrisë përmes një vendim pezulloi nga detyra të dy mjekët e përfshirë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.


























