Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë renditur në vendin e dytë në garën “Ushtari më i mirë”, e zhvilluar në shtetin e Ajovës në SHBA.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i ka pritur në takim pjesëtarët që përfaqësuan Kosovën në këtë garë, duke i dekoruar me medalje për rezultatet e arritura.
Sipas njoftimit nga FSK-ja, pjesëtarët treguan nivel të lartë të përgatitjes profesionale, fizike dhe ushtarake gjatë garës.
“Me këtë rast, Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i dekoroi pjesëtarët me medalje për rezultate të larta, në shenjë vlerësimi për përkushtimin, profesionalizmin dhe suksesin e treguar gjatë garës. Suksesi i tyre përbën një vlerë të shtuar për FSK-në dhe dëshmi të përgatitjes së vazhdueshme të pjesëtarëve të saj sipas standardeve më të larta ushtarake”, thuhet në njoftimin e FSK-së.


























