Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 7 shtatorin, datën kur më 1990 delegatët e Kuvendit të Kosovës miratuan Kushtetutën e Kaçanikut.
Haxhiu ka theksuar se Kushtetuta u miratua në rrethana të represionit dhe përndjekjes politike, duke e cilësuar atë si një akt që i dha bazë kushtetuese vullnetit të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë.
“Më 7 shtator 1990, në rrethana të rënda represioni dhe përndjekjeje politike, delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në Kaçanik dhe miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, duke i dhënë bazë kushtetuese vullnetit të shprehur më 2 korrik për Kosovën Republikë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se miratimi i Kushtetutës ishte përgjigje ndaj përpjekjeve të Serbisë për të rrënuar autonominë e Kosovës dhe për të shtypur vullnetin politik të qytetarëve.
“Teksa Serbia po rrënonte autonominë e Kosovës, po shuante institucionet e saj dhe po përpiqej ta nënshtronte me dhunë vullnetin politik të qytetarëve, Kushtetuta e Kaçanikut ishte përgjigjja e një populli që nuk pranonte të hiqte dorë nga e drejta për të vendosur vetë për fatin e tij”, është shprehur ajo.
Sipas Haxhiut, rëndësia e këtij dokumenti shkon përtej tekstit juridik të miratuar më 7 shtator 1990.
“Pikërisht për këtë, rëndësia e saj shkon përtej tekstit juridik që u miratua atë ditë. Ajo dëshmon se edhe në kushtet e pushtimit dhe të represionit, Kosova kishte njerëzit, dijen dhe vullnetin për t’i dhënë formë juridike përcaktimit të saj politik”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka vlerësuar edhe punën e juristëve dhe guximin e delegatëve që morën pjesë në miratimin e Kushtetutës.
“Në hartimin e saj qëndron puna e juristëve që, në kushte të jashtëzakonshme, ndërtuan një rend kushtetues mbi vullnetin e qytetarëve të Kosovës, ndërsa në votën e delegatëve qëndron guximi i një brezi që mori mbi vete përgjegjësinë për t’i dhënë kërkesës për Republikë formën e një akti kushtetues”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka rikujtuar më tej rrugëtimin politik të Kosovës, nga Deklarata e 2 Korrikut dhe Kushtetuta e Kaçanikut, deri te çlirimi dhe shpallja e pavarësisë.
“Rruga që nisi me Deklaratën e 2 korrikut dhe mori trajtë kushtetuese më 7 shtator vazhdoi përmes rezistencës së qytetarëve të Kosovës, luftës çlirimtare dhe sakrificës së shumë brezave, deri te çlirimi i vendit dhe shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008”, ka shkruar Haxhiu.
Në përfundim, ushtruesja e detyrës së Presidentit ka thënë se në këtë përvjetor duhet të nderohen të gjithë ata që kontribuuan në mbajtjen gjallë të kërkesës për Republikë.
“Sot, në përvjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, nderojmë hartuesit e saj, delegatët që e miratuan dhe të gjithë ata që në vitet më të vështira e mbajtën të gjallë kërkesën për Republikë”, ka deklaruar ajo.
“Ajo që më 7 shtator 1990 mori formë kushtetuese ishte një përcaktim politik që historia e Kosovës do ta çonte përpara deri në pavarësi dhe shtetësi”, ka përfunduar Haxhiu.


























