Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar 23 martirët e familjes Deliu dhe dëshmorët e kombit, Vesel Demaku, Valdet Xhemajli e Afrim Hajdaraj, të rënë më 26 shtator 1998 në Abri të Epërme, përcjell KosovaPost.
Haxhiu ka thënë se familja Deliu ishte strehuar në mal për t’u shpëtuar sulmeve dhe granatimeve, por u gjet nga forcat serbe dhe u vra nga afër. Në mesin e viktimave, sipas saj, kishte fëmijë, gra shtatzëna dhe të moshuar.
Ajo ka veçuar rastin e Diturije Deliut, e cila ishte vetëm gjashtëjavëshe dhe u gjet e gjallë nën trupin e nënës së saj. Foshnja jetoi edhe disa javë dhe vdiq më 19 nëntor 1998.
Haxhiu ka përkujtuar edhe Vesel Demakun, Valdet Xhemajlin dhe Afrim Hajdarajn, të cilët, sipas saj, po luftonin për të penguar depërtimin e forcave serbe drejt civilëve të strehuar në malet përreth Abrisë.
“Njëzet e tetë vjet më vonë, për masakrën e familjes Deliu askush nuk është dënuar. Krimi është dokumentuar, dëshmitarët kanë folur dhe dihet se cilat forca serbe vepruan në Abri”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të kërkojë drejtësi për këto krime.
“Institucionet tona kanë për detyrë t’i ndjekin këto krime deri në fund, pavarësisht sa kohë ka kaluar dhe pavarësisht se ku ndodhen kryerësit”, ka deklaruar Haxhiu.
Në fund, Haxhiu ka bërë homazhe për dëshmorët dhe martirët e familjes Deliu, duke përcjellë mesazhin se kujtimi për ta duhet të mbetet i përhershëm.


























