Agjencia ndërkombëtare e lajmeve Reuters i ka kushtuar një artikull të gjerë gjykimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, aktgjykimi ndaj të cilëve pritet të shpallet të mërkurën në Hagë.
Reuters e vlerëson vendimin si një moment me rëndësi të madhe për Kosovën dhe rajonin.
“Në qytete të ndryshme të Kosovës janë vendosur ekrane të mëdha ku shfaqet numërimi mbrapsht deri në shpalljen e aktgjykimit, i cili pritet të nisë në orën 10:00 në Hagë. Të shtunën, mijëra qytetarë morën pjesë në një tubim në Prishtinë, duke kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së”, shkruan Reuters.
Agjencia shkruan se mbrojtja e Thaçit ka argumentuar se akuzat për vrasje e tortura janë të pabaza dhe se procesi përbën një përpjekje për të “rishkruar” historinë.
Avokatët kanë thënë se nuk ka prova që e lidhin drejtpërdrejt Thaçin me krimet e pretenduara apo që dëshmojnë se ai ka pasur kontroll mbi komandantët e tjerë të UÇK-së.
‘Ngjarje tektonike’
“Për ne, Hashim Thaçi është hero i Kosovës, luftëtar i lirisë. Ai duhet të kthehet në Kosovë”, ka thënë për Reuters Mentor Plakaj, banor i Prishtinës.
Thaçi ishte president i Kosovës nga viti 2016 deri më 2020, ndërsa më herët shërbeu si kryeministër nga viti 2008 deri më 2014.
“Verdikti është ngjarje tektonike”, ka thënë Agon Maliqi, bashkëpunëtor i lartë jo-rezident në Qendrën për Evropën të Këshillit Atlantik.


























