Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se që nga 20 maji, shtetasi shqiptar Avdi Memçaj ndodhet në paraburgim në Serbi, nën dyshimin për nxitje të urrejtjes përmes rrjeteve sociale, përcjell KosovaPost.
Përmes një postimi në Facebook, Koci tha se është njoftuar nga familjarët e Memçajt, të cilët i kanë kërkuar që të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të tij. Sipas tij, rasti nuk është bërë publik më herët për shkak të frikës nga pasojat për Memçajn dhe familjen e tij, pasi ata shpesh kalojnë përmes Serbisë gjatë udhëtimeve drejt Kosovës.
“Do ta shqyrtoj me seriozitet këtë rast dhe do të ndërmarr të gjitha veprimet juridike që i lejon ligji për mbrojtjen e të drejtave të tij. Pres edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës që këtij rasti t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të ofrojnë mbështetjen e nevojshme”, ka shkruar Koci.
Ai ka theksuar gjithashtu se kohëve të fundit ka pranuar gjithnjë e më shumë informacione për ndalimin e shtetasve të Kosovës gjatë kalimit nëpër Serbi, si dhe për kontrolle të përmbajtjes së telefonave mobil në disa raste.
Koci u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast se përballen me situata të ngjashme, të njoftojnë institucionet e Republikës së Kosovës.


























