Kosova mes rritjes ekonomike dhe rrezikut të mbetjes pas në epokën e AI-së

Kosova pritet të ruajë rritjen ekonomike gjatë tri viteve të ardhshme, por përballë saj qëndrojnë sfida që mund të përcaktojnë zhvillimin e vendit në epokën e inteligjencës artificiale.

 

Raporti i tetorit 2026 i Bankës Botërore paralajmëron për mungesën e aftësive profesionale, pasigurinë politike dhe kufizimet infrastrukturore, ndërsa identifikon potencial për investime në ekonominë digjitale.

Pavarësisht energjisë relativisht të lirë, varësia nga termocentralet e vjetra mbetet pengesë. Sfida kryesore për Kosovën është shndërrimi i teknologjisë në produktivitet, investime dhe vende të reja pune.

Raporti i ri ekonomik i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore e paraqet Kosovën në një tablo që është njëkohësisht pozitive dhe paralajmëruese. Ekonomia kosovare pritet të vazhdojë rritjen gjatë viteve të ardhshme, por ritmi i saj mbetet i varur nga investimet, stabiliteti politik, reformat dhe aftësia për të përfituar nga transformimi teknologjik.

Në të njëjtën kohë, raporti identifikon një sfidë që për Kosovën mund të bëhet vendimtare: kalimi nga përdorimi sipërfaqësor i teknologjisë drejt përdorimit të inteligjencës artificiale për rritjen reale të produktivitetit.

Sipas parashikimit të Bankës Botërore, ekonomia e Kosovës pritet të rritet me 3.6 për qind në vitin 2026, që nuk shihet se do të ketë dallim sikurse viti i kaluar prej 3.6 për qind. Për vitin 2027 parashikohet rritje prej 3.8 për qind, ndërsa për vitin 2028 prej 3.9 për qind. Kjo do të thotë se Kosova pritet të përshpejtojë gradualisht rritjen, në një kohë kur ekonomia e rajonit të Ballkanit Perëndimor parashikohet të rritet mesatarisht me 3.1 për qind në vitin 2026 dhe 3.4 për qind në 2027-2028.

Por, pas këtyre shifrave relativisht të qëndrueshme, raporti sheh një ekonomi që ende duhet të përballet me disa kufizime strukturore. Në parashikimin e tij për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore thotë se investimet më të forta mund të nxisin rritjen në Kosovë, Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë nëse zbehet pasiguria politike. Pra, për Kosovën investimi privat nuk paraqitet thjesht si çështje e kapitalit, por edhe e klimës institucionale dhe politike.

Kjo është një nga temat që është përsëritur në raport: pasiguria politike mund të vonojë vendimmarrjen, të ngadalësojë reformat dhe të dëmtojë besimin e investitorëve. Nëse kjo pasiguri zgjatet, ndikimi nuk kufizohet vetëm te investimet e huaja. Mund të ngadalësohet edhe përthithja e fondeve evropiane dhe ritmi i reformave, ndërsa kushtet më të shtrenjta të financimit mund të kufizojnë investimet private.

Një ekonomi që rritet, duhet të investojë më shumë

Raporti e sheh investimin publik si një prej mbështetësve kryesorë të aktivitetit ekonomik në rajon. Por për Kosovën, sfida është që investimi publik të shoqërohet me një sektor privat më dinamik dhe me reforma që ulin kostot e të bërit biznes.

Në këtë drejtim, raporti përmend Kosovën si një nga vendet ku janë ndërmarrë hapa në integrimin tregtar. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, sipas Bankës Botërore, arrijnë t’i zhdoganojnë eksportet në rreth një ditë. Ky konsiderohet shembull se si procedurat më efikase kufitare mund të ulin kostot e tregtisë dhe t’u japin kompanive qasje më të madhe në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare.

Por raporti e sheh këtë vetëm si një pjesë të një agjende më të gjerë. Për të rritur produktivitetin dhe investimet nevojiten regjistrim më i shpejtë i kompanive, licencim dhe leje ndërtimore më efikase, sisteme më moderne të falimentimit, qasje më e mirë në financim dhe infrastrukturë më të besueshme. Banka Botërore e lidh drejtpërdrejt këtë agjendë me inteligjencën artificiale. Sa më shumë që ekonomia kalon drejt AI-së (ose SI-së), aq më të rëndësishme bëhen aftësitë, financimi, të dhënat, energjia dhe qasja në tregje.

Raporti e vendos gjithashtu Kosovën në një kontekst më të gjerë reformash. Në Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian përshkruhet si një ankorë e rëndësishme për reformat strukturore, ndërsa ndër masat e fundit të evidentuara për Kosovën përmendet integrimi tregtar.

Kosova nuk është jashtë valës së inteligjencës artificiale 

Pjesa më e re dhe më e rëndësishme e raportit lidhet me inteligjencën artificiale. Këtu Kosova shfaqet në mënyrë më konkrete. Banka Botërore vlerëson se rreth një në pesë punëtorë në Evropë dhe Azinë Qendrore janë në profesione të ekspozuara në një masë domethënëse ndaj inteligjencës artificiale. Ekspozimi është shumë më i lartë te personat me arsim universitar, te të rinjtë dhe te gratë. Por raporti bën një dallim thelbësor. Ekspozimi ndaj AI-së nuk do të thotë automatikisht humbje e vendit të punës. Po ashtu, përdorimi i AI-së nuk nënkupton në mënyrë të domosdoshme rritje të produktivitetit.

Në grafikun e vendeve për të cilat ka të dhëna të krahasueshme, Kosova është ndër ekonomitë ku rreth një e katërta e fuqisë punëtore është në profesione me ekspozim të mesëm ose të lartë ndaj AI-së. Kjo e vendos Kosovën në një pozitë ku transformimi teknologjik nuk është një çështje e së ardhmes së largët, por tashmë prek një pjesë të konsiderueshme të tregut të punës.

Por pikërisht këtu raporti vendos një paralajmërim të rëndësishëm. Ekspozimi nuk është i barabartë me zëvendësimin e punëtorëve. Teknologjia mund t’i ndihmojë punëtorët të kryejnë më shpejt detyrat ekzistuese, mund të ndryshojë përmbajtjen e vendeve të punës dhe mund të krijojë kërkesa të reja për aftësi. Në të dhënat e para nga rajoni, ndikimi i AI-së shihet më shumë në uljen e ritmit të punësimit, me pak dëshmi për zhvendosje masive të punëtorëve dhe me raste të shtimit të aftësive të punëtorëve ekzistues. Për Kosovën, kjo është veçanërisht e rëndësishme. Nëse një pjesë e konsiderueshme e fuqisë punëtore është e ekspozuar ndaj AI-së, pyetja nuk është vetëm sa vende pune mund të preken, por sa shpejt mund të përgatitet fuqia punëtore për të punuar bashkë me këtë teknologji.

Raporti sjell një të dhënë shumë më të drejtpërdrejtë për Kosovën në lidhje edhe me sektorin publik. Në një anketë për përdorimin e AI-së në Qeveri, mungesa e talenteve për të dizajnuar dhe zhvilluar zgjidhje të inteligjencës artificiale, si dhe mungesa e aftësive të stafit për t’i përdorur këto mjete, dalin si pengesa të rëndësishme në vendet e rajonit.

Kosova është njëra nga vetëm tri qeveritë e përmendura në raport, së bashku me Taxhikistanin dhe Ukrainën, që u ka kushtuar dy nga tri përgjigjet kryesore pikërisht këtyre dy problemeve: mungesës së njerëzve që mund të ndërtojnë zgjidhje AI dhe mungesës së aftësive të stafit për përdorimin e tyre.

Raporti thekson se qeveritë nuk e identifikojnë mungesën e interesit politik apo rezistencën ndaj ndryshimit si pengesën kryesore. Problemi, sipas vetë administratave, është kapaciteti për ta ndërtuar dhe përdorur teknologjinë.

Ky është një prej konstatimeve më domethënëse për Kosovën. Në vend që problemi të jetë mungesa e dëshirës për digjitalizim, pengesa është kapitali njerëzor. Dhe kjo lidhet drejtpërdrejt me arsimin. Banka Botërore thotë se rajoni ka shumë të diplomuar në shkencë, matematikë, teknologji dhe inxhinieri, por mungojnë inxhinierët me orientim biznesor dhe menaxherët që dinë t’i riorganizojnë proceset e kompanive rreth teknologjive të reja. Një pjesë e madhe e fuqisë punëtore gjithashtu nuk i ka aftësitë themelore të nevojshme për përdorim produktiv të AI-së.

Për Kosovën kjo do të thotë se një politikë e AI-së nuk mund të kufizohet te blerja e programeve, licencave apo platformave. Pa njerëz që dinë t’i përdorin ato, teknologjia mund të mbetet vetëm një shtresë e re mbi një administratë dhe ekonomi që vazhdojnë të funksionojnë me procese të vjetra.

Raporti bën një dallim tjetër të rëndësishëm, ku nxjerr në pah se shumica e kompanive në rajon e përdorin AI-në në mënyrë të cekët, thuajse vetëm për chatbotët, asistencën e brendshme, dokumente, administratë dhe përshpejtim të proceseve. Këto përdorime mund të kursejnë kohë, madje në disa raste një dokument që dikur kërkonte dy javë mund të përgatitet për disa orë. Por në shumicën e rasteve, këto përdorime nuk kanë prodhuar ende efekte të matshme në produktivitet.

Ky është një paralajmërim i drejtpërdrejtë edhe për Kosovën: përdorimi i ChatGPT-së apo i mjeteve të tjera të AI-së nuk është i njëjtë me transformimin ekonomik.

Fitimi i madh vjen kur kompanitë ndryshojnë mënyrën se si organizohet puna, si mblidhen të dhënat dhe si merren vendimet. Raporti përmend si shembuj financiarët që përdorin AI për vlerësimin e kredive, kompanitë që optimizojnë rezervat dhe ndërmarrjet energjetike që përdorin teknologjinë për optimizimin e inputeve.

Pra, sfida për Kosovën nuk është vetëm hyrja në epokën e AI-së. Është kalimi nga përdorimi individual i mjeteve te transformimi i kompanive dhe institucioneve.

AI, energjia dhe termocentrale të vjetra

Një prej pjesëve më interesante të raportit për Kosovën lidhet me energjinë dhe mundësinë që vendi të përfitojë nga rritja e kërkesës për qendra të të dhënave.

Banka Botërore thotë se eksporti i shërbimeve të AI-së mund të jetë mundësi për ekonomitë e rajonit, ndërsa një kanal tjetër është eksporti i kapacitetit kompjuterik. Pra, vendosja e qendrave të të dhënave dhe shitja e fuqisë përpunuese te klientët jashtë vendit. Në këtë llogari, energjia është një faktor kyç. Raporti thekson se Kosova ka kosto relativisht të ulët të energjisë elektrike. Por menjëherë pas kësaj vjen paralajmërimise energjia në Kosovë sigurohet në masë dërrmuese nga dy termocentrale të vjetra me qymyr. Kjo krijon një paradoks ekonomik.

Në njërën anë, energjia relativisht e lirë mund të jetë një avantazh për një industri që konsumon sasi të mëdha të energjisë, si qendrat e të dhënave. Në anën tjetër, varësia nga dy termocentrale të vjetra krijon një kufizim të rëndësishëm për një investim që kërkon energji të qëndrueshme dhe të besueshme.

Raporti thotë se vendet e Ballkanit Perëndimor deri në Kaukazin e Jugut kanë pozitë të mirë për t’u shndërruar në qendra rajonale të përpunimit të të dhënave për tregjet e Bashkimit Evropian, Turqisë dhe vendeve të Gjirit. Por pengesa kryesore nuk është vetëm energjia apo pozita gjeografike. Janë kapitali, disponueshmëria e GPU-ve (procesorë të specializuar qëmundësojnë kryerjen e llogaritjeve intensive për inteligjencënartificiale) dhe besueshmëria institucionale.

Kjo do të thotë se vetëm energjia e lirë nuk mjafton për ta kthyer Kosovën në një qendër të AI-së.

Raporti gjithashtu tregon një kufizim në vetë bazën statistikore për Kosovën. Për vitin 2025, të dhënat për abonimet e internetit mobil me brez të gjerë nuk janë të disponueshme për Kosovën, e as të dhënat për abonimet e internetit fiks gjithashtu nuk janë të disponueshme. Kjo nuk do të thotë automatikisht se infrastruktura është e dobët. Kjo do të thotë se Kosovës i mungojnë këto matje krahasuese të përdorura nga raporti.

Megjithatë, në nivel rajonal problemi është i qartë. Kapaciteti i qendrave të të dhënave në vendet e rajonit të Evropës dhe AzisëQendrore (ECA) është vetëm rreth 2.1 megavat për milion banorë, kundrejt 31.6 megavatëve në vendet me të ardhura të larta jashtë rajonit. Vetëm një pjesë shumë e vogël e superkompjuterëve më të fuqishëm në botë ndodhet në ECA.

Për Kosovën kjo nënkupton se, nëse synon të përfitojë nga ekonomia e AI-së, nuk mjafton interneti i shpejtë për konsumatorët. Nevojiten kapacitete për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave, infrastrukturë cloud, energji të qëndrueshme, siguri kibernetike dhe institucione që mund të krijojnë besim te investitorët.

Borxhi, shpenzimet dhe hapësira fiskale

Raporti e përfshin Kosovën edhe në analizën e borxhit publik. Grafiku i Bankës Botërore tregon se borxhi i qeverisë së Kosovës është rritur në periudhën 2019-2025, megjithëse dinamika e Kosovës është dukshëm më e kufizuar se në disa prej ekonomive të tjera të rajonit.

Një tjetër tregues është rritja e shpenzimeve të mbrojtjes. Kosova është ndër vendet e paraqitura në raport ku shpenzimet e mbrojtjes në vitin 2025 janë më të larta se mesatarja e periudhës 2010-2019. Grafiku e vendos shpenzimin e Kosovës rreth 2 për qind të PBB-së në vitin 2025.

Këto të dhëna kanë rëndësi sepse hapësira fiskale nuk është e pakufizuar. Një ekonomi që duhet të financojë njëkohësisht mbrojtjen, pagat, shërbimet sociale, energjinë, infrastrukturën dhe investimet digjitale duhet të zgjedhë me kujdes se ku i orienton resurset publike.

Klima, një tjetër rrezik për Kosovën

Kosova shfaqet edhe në analizën e Bankës Botërore për ekspozimin ndaj rreziqeve klimatike. Në grafikun rajonal, Kosova renditet në grupin e vendeve ku një pjesë e popullsisë është e ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike dhe është e cenueshme ndaj ndikimeve të tyre.

Në vlerësimin e Bankës Botërore, rreth 12 për qind e popullsisë së Kosovës paraqitet në kategorinë e njerëzve të ekspozuar ndaj rreziqeve klimatike dhe të cenueshëm ndaj ndikimeve të tyre. Ndërkohë, raporti e lidh varësinë më të madhe nga bujqësia me vulnerabilitet më të lartë klimatik. Ky rrezik nuk është vetëm mjedisor. Thatësirat, temperaturat ekstreme, dëmtimi i infrastrukturës dhe goditjet ndaj bujqësisë mund të ndikojnë drejtpërdrejt në çmimet e ushqimit, të ardhurat e familjeve dhe shpenzimet publike.

Banka Botërore paralajmëron se ngjarjet më të shpeshta dhe më të rënda të motit mund të dëmtojnë infrastrukturën, të ndërpresin aktivitetin bujqësor dhe të rrisin pasigurinë ushqimore. Në rajon, familjet e varfra dhe rurale janë më pak të afta për t’i përballuar këto goditje.

Rreziku i energjisë nuk është larg Kosovës

Edhe pse Kosova nuk është një importues i madh i energjisë në kuptimin e vendeve që varen kryesisht nga importet, raporti e lidh gjithë Ballkanin Perëndimor me një rrezik më të gjerë: një përshkallëzim i konflikteve në Lindjen e Mesme, ndërprerjet e furnizimit me gaz dhe naftë, problemet në transportin ndërkombëtar dhe çmimet e larta të energjisë mund të rikthejnë inflacionin.

Në skenarin e raportit, një tjetër goditje energjetike do të godiste veçanërisht vendet e Ballkanit Perëndimor dhe do të shtynte më tej uljen e inflacionit. Kostot e transportit, prodhimit dhe ushqimit do të rriteshin, ndërsa mbështetja shtetërore për konsumatorët do të bëhej më e shtrenjtë për buxhetet.

Për Kosovën, ku energjia mbetet një prej pikave më të ndjeshme të ekonomisë, kjo e bën edhe më të rëndësishme modernizimin e sistemit energjetik. Raporti nuk jep një plan specifik për Kosovën, por e bën të qartë se energjia e besueshme është një prej parakushteve për investime të reja, përfshirë ato në ekonominë digjitale.

Çfarë mund të fitojë Kosova nga AI?

Raporti nuk parashikon një bum të veçantë të AI-së në Kosovë. Por ai hap një mundësi që lidhet me strukturën e ekonomive të vogla të rajonit.

AI mund të përdoret për të rritur produktivitetin në një ekonomi ku fuqia punëtore nuk mund të zgjerohet pafundësisht. Banka Botërore paralajmëron se popullsia në moshë pune në pjesën më të madhe të rajonit do të tkurret ndjeshëm deri në vitin 2060. Për këtë arsye, prodhimi ekonomik duhet të rritet me më pak punëtorë. AI mund të rrisë prodhimin për punëtor duke ulur kohën e nevojshme për detyrat rutinore.

Kjo është veçanërisht relevante për Kosovën, jo si parashikim i veçantë i raportit për vendin, por si implikim i drejtpërdrejtë i problemit që Banka Botërore identifikon për rajonin: nëse fuqia punëtore nuk rritet, produktiviteti duhet të bëhet burimi kryesor i rritjes.

Mundësia tjetër është eksporti i shërbimeve digjitale. Raporti e sheh eksportin e shërbimeve të AI-së si një nga dy kanalet përmes të cilave vendet e ECA-së mund të përfitojnë nga kërkesa globale. Por për këtë nevojiten aftësi, rregulla për tregtinë digjitale, qarkullimin ndërkufitar të të dhënave dhe shërbimet profesionale.

Pra, rreziku më i madh mund të mos jetë AI-ja, por mungesa e saj

Banka Botërore nuk e sheh rrezikun kryesor të dekadës së ardhshme si një pushtim të tregut të punës nga AI-ja. Përkundrazi, ajo thotë se rreziku kryesor për rajonin mund të jetë përdorimi shumë i vogël dhe përshtatja shumë e ngadaltë ndaj AI-së.

Për Kosovën kjo e ndryshon krejt pyetjen.

Çështja nuk është vetëm nëse AI-ja do t’i marrë vende pune një administratori, kontabilisti, juristi, gazetari apo programuesi. Pyetja është nëse kompanitë kosovare do ta përdorin AI-në për të prodhuar më shumë me të njëjtin numër punëtorësh; nëse administrata do të kryejë shërbimet më shpejt; nëse shkollat do t’i përgatisin nxënësit për një treg pune që po ndryshon; nëse të dhënat publike do të strukturohen dhe bëhen të përdorshme; dhe nëse energjia dhe infrastruktura do të jenë të mjaftueshme për ekonominë digjitale.

Raporti rekomandon që qeveritë të mos synojnë domosdoshmërisht ndërtimin e modeleve të tyre gjigante kombëtare të AI-së. Prioritet duhet të jetë adoptimi dhe përshtatja e teknologjisë, atë që Banka Botërore e quan “AI e vogël”, e përshtatur me rrethanat, gjuhët dhe bazën ligjore lokale. Paralelisht, duhen investime në aftësi bazë, aftësi digjitale, menaxhim, të dhëna dhe qasje të përballueshme në kapacitetin kompjuterik.

Për Kosovën, kjo do të nënkuptonte një politikë shumë më praktike sesa një garë për të shpallur strategji të mëdha të AI-së. Pra, përgatitjen e njerëzve, digjitalizimin e proceseve, strukturimin e të dhënave publike, mbështetjen e kompanive, përmirësimin e infrastrukturës energjetike dhe krijimin e kushteve që kapitali privat të investojë.

Një rrugë me dy skenarë

Në fund, raporti nuk jep një skenar të veçantë për Kosovën në epokën e AI-së. Por duke bashkuar të gjitha të dhënat që lidhen me vendin, krijohen dy drejtime të mundshme.

Në njërin, rritja ekonomike vazhdon rreth 3.6 deri në 3.9 për qind, investimet forcohen, pasiguria politike zvogëlohet, reformat avancojnë, tregtia integrohet më tej dhe kompanitë fillojnë ta përdorin teknologjinë jo vetëm për të kursyer kohë, por për të ndryshuar mënyrën se si prodhojnë dhe shërbejnë. Në këtë skenar, energjia relativisht e lirë mund të kthehet nga dobësi strukturore në një avantazh për investimet digjitale, nëse sistemi modernizohet.

Në skenarin tjetër, Kosova vazhdon të ketë rritje, por një pjesë e madhe e saj mbështetet te konsumi dhe burimet tradicionale, ndërsa investimet private frenohen nga pasiguria, administrata nuk arrin të krijojë kapacitetet për përdorimin e AI-së, mungesa e aftësive mbetet pengesë dhe infrastruktura energjetike nuk arrin t’i përgjigjet ekonomisë së re. Në këtë rast, problemi nuk do të ishte se inteligjenca artificiale i zëvendësoi punëtorët kosovarë. Problemi do të ishte se kompanitë dhe punëtorët kosovarë nuk e përdorën atë aq shpejt sa konkurrentët e tyre.

Banka Botërore e sheh rajonin përballë një kombinimi të rreziqeve: energji më e shtrenjtë, konflikte dhe tensione gjeopolitike, kushte më të shtrenjta financimi, presion mbi tregtinë, pasiguri politike dhe goditje klimatike. Për Kosovën, këto rreziqe duhet të eliminohen duke ndërthurur nevojën për ta rritur produktivitetin në një ekonomi që nuk mund të mbështetet pafundësisht vetëm te zgjerimi i fuqisë punëtore.

Në këtë kuptim, raporti i tetorit 2026 nuk e paraqet Kosovën si një ekonomi në krizë. Përkundrazi, parashikon rritje të qëndrueshme për tre vitet e ardhshme. Por mesazhi i tij është se rritja nuk është e mjaftueshme në vetvete. Për një vend të vogël si Kosova, sfida është ta shndërrojë rritjen në produktivitet, produktivitetin në paga dhe investime, dhe teknologjinë në avantazh ekonomik.

Dhe në këtë garë, pengesa kryesore që raportohet për Kosovën nuk është mungesa e interesit për inteligjencën artificiale. Është mungesa e njerëzve dhe kapaciteteve që dinë ta përdorin atë. Ndërsa mundësia më e veçantë që raportohet për vendin është energjia relativisht e lirë – por e shoqëruar me varësinë nga dy termocentrale të vjetra me qymyr. Këto dy të dhëna, të marra së bashku, përmbledhin një pjesë të madhe të sfidës së Kosovës, e cila sipas Bankës Botërore ka potencial për ekonominë e re, por infrastruktura dhe institucionet duhet të ndryshojnë në mënyrë që ky potencial të kthehet në investim, vende pune dhe produktivitet.

(p.s. Raporti i Bankës Botërore është i bazuar në të dhëna me afat përfundimtar 25 shtator 2026 dhe titullohet Making AI Work: Jobs, Firms, and Productivity, si pjesë e Europe andCentral Asia Economic Update të tetorit 2026).

 

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish