Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati vizitojnë Doganën e Kosovës: Theksohen reformat strategjike, lehtësimi i tregtisë dhe mbështetja e plotë qeveritare për zhvillimet e mëtejshme
Prishtinë, 4 shtator 2026 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati, vizituan sot Drejtorinë e Përgjithshme të Doganës së Kosovës. Gjatë vizitës, Kryeministri Kurti dhe Ministri Murati i shprehën mirënjohje të veçantë Drejtorit të Përgjithshëm dhe të gjithë stafit të Doganës për sukseset dhe rezultatet e larta që po shënohen në vazhdimësi, si dhe për përkushtimin në zbatimin e reformave rrënjësore në administratë. Me këtë rast, Kryeministri dhe Ministri rikonfirmuan gatishmërinë e plotë të Qeverisë për të mbështetur Doganën e Kosovës në të gjitha zhvillimet, projektet modernizuese dhe reformat e saj të mëtejshme.
Meqë vizita përkon edhe me shënimin e 27-vjetorit të Doganës së Kosovës, Drejtori Llugaliu shpalosi raportin e zhvillimeve të rëndësishme të shënuara përgjatë këtij viti. Në kuadër të reformave strategjike veçohen shtetëzimi i terminaleve doganore dhe zbatimi i plotë i sistemit të deklarimit para arritjes. Kalimi i terminaleve në menaxhim shtetëror, së bashku me masat e ndërmarra në Portin e Durrësit, ka eliminuar kosto e barriera të panevojshme duke i kursyer ekonomisë sonë mbi 20 milionë euro në vit. Ndërkaq, Drejtori theksoi se me zhvillimet e realizuara këtë vit për përfundimin e procesit të zhdoganimit para se të arrijnë mallrat, Dogana shënon një kapitull të ri zhvillimi, i pari në rajonin tonë. Përmes kësaj reforme dhe zhdoganimit në pikat kufitare, procedurat janë thjeshtuar dhe koha e zhdoganimit është shkurtuar me rreth 70%.
Ky shkurtim tejkalon edhe gjetjet e studimit të Bankës Botërore për integrimin ekonomik rajonal, sipas të cilit vendet e CEFTA-s përballen me kohë vonesash mesatarisht 3 orë më të gjata se mesatarja e vendeve të OECD-së. Studimi i Bankës Botërore nënvizon se shkurtimi i kohës vetëm për 3 orë do të ndikonte në një rritje reale të Produktit të Brendshëm Vjetor (BPV) prej 1.5% deri në 3% në afat të mesëm, si rezultat i mundësive të reja ekonomike të krijuara dhe uljes së dukshme të kostove të transportit.
Në rrafshin e performancës në të hrya dhe luftimin e ekonomisë informale, gjatë periudhës 2021–2025 rritja e të hyrave të Doganës ka tejkaluar mesatarisht gati tre herë normën e rritjes ekonomike, duke arkëtuar gjithsej 8.380 miliardë euro reale.
Pavarësisht se gjatë kësaj periudhe janë zbatuar mbi 938 milionë euro lirime fiskale shtesë në mbështetje të prodhuesve vendorë dhe tregtisë së lirë, suficiti neto i mbledhur mbi trendin e zakonshëm ekonomik arrin në 1.104 miliardë euro (apo 2.042 miliardë euro bruto). Kjo performancë e jashtëzakonshme po vazhdon edhe këtë vit, ku me 1.347 miliardë euro të hyra të mbledhura deri më tani (+6% rritje vjetore), rritja vazhdon të jetë dyfishi i trendit të rritjes ekonomike, si rezultat i drejtpërdrejtë i dinamikës së ekonomisë, rritjes së besimit në institucione dhe luftës kundër ekonomisë joformale. Po ashtu, eksportet e Kosovës gjatë kësaj periudhe janë rritur me 21.6% (duke arritur në 725.9 milionë euro), ndërsa importet kanë shënuar rritje prej 8.3%.
Efikasiteti është rritur ndjeshëm edhe në sundimin e ligjit dhe luftën kundër kontrabandës. Përmes skanerit të dhuruar nga SHBA-ja janë sekuestruar 1 milion euro para të gatshme në një rast të vetëm, 115 kg kanabis, si dhe 2.4 kg kokainë. Vlera e mallrave të konfiskuara ka arritur në 21.28 milionë euro deri në gusht 2026, nga 5.5 milionë euro sa ishte në vitin 2019.
Sa i përket modernizimit dhe digjitalizimit, janë ndërlidhur të gjitha sistemet kryesore operative, janë digjitalizuar certifikatat EUR-1 dhe proceset për postat e shpejta, si dhe është avancuar sistemi i pullave fiskale pa kosto shtesë buxhetore.
Përmes projektit prej 17.25 milionë eurove me Bankën Botërore, po ndërtohet baza teknike për Dritaren e Vetme Kombëtare dhe automatizimi i gjere I proceseve te mbetura teknike, duke konsoliduar me sukses misionin e Doganës së Kosovës në mbrojtje të shoqërisë dhe tregut, mbledhje të të hyrave dhe lehtësim të tregtisë së ligjshme sipas standardeve më të larta evropiane.


























