Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Rainer Rudolph, nga i cili pranoi urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti e falënderoi ambasadorin Rudolph, për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhënë Kosovës.
“Krahas diskutimit për zhvillimet politike në Kosovë, kryeministri Kurti dhe ambasadori Rudolph, biseduan për Procesin e Berlinit, nikoqire e të cilët do të jetë Kosova për herë të dytë këtë vit, si dhe për Forumin Ekonomik Kosovë-Gjermani që do të mbahet në fund të muajit tetor”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se kryeministri Kurti shprehu shqetësimin e Republikës së Kosovës për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shtuar se aktgjykimi ka pasaktësi faktike, historike dhe ligjore, që duhet të korrigjohen me doemos në apel.


























