Kurti në SHBA kërkon mbështetje për shqiptarët e Preshevës,Medvegjës e Bujanocit

Gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar mbështetje për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, ndërsa ka folur edhe për përfaqësimin e serbëve në institucionet e Kosovës, duke thënë se Beogradit zyrtar i duken pak nëntë deputetët serbë që, sipas tij, janë me partinë e Aleksandar Vuçiqit.

“Ju e dini që në Republikën e Kosovës, në Parlamentin me 120 ulëse ne i kemi 10 vende të rezervuara për serbët, njëri prej tyre është ministër i imi, nëntë të tjerët janë me partinë e Vuçiqit, edhe Beogradit zyrtar 9-të i duken pak. I duken që janë pak sepse i duan të 10-it”, ka thënë Kurti.

Duke folur për përfaqësimin e shqiptarëve në Serbi, Kurti ka përmendur deputetin Shaip Kamberi, për të cilin ka thënë se i përfaqëson me dinjitet shqiptarët atje.

“E në anën tjetër edhe i vetmi deputet shqiptar që kemi në Serbi, Shaip Kamberi i duket tepër, se është punëtor dhe i përfaqëson me dinjitet shqiptarët që janë të shtypur e të shfrytëzuar. Prandaj, vëllezër e motra kërkoj mbështetjen tuaj që t’i ndihmojmë shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, me krejt çfarë dimë e mundemi”, ka deklaruar ai.

Kurti ka thënë se shteti duhet të jetë i fortë, por edhe i mirë.

“Prandaj, qeverisja jonë mundohet që paqen, drejtësinë dhe dashurinë, t’i bëjë bashkë”, ka potencuar ai.

Kryeministri Albin Kurti i ka bërë këto deklarata gjatë vizitës në Kishën Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” (Our Lady of Shkodra), në Hartsdale të New York-ut, ku mori pjesë në meshën e së dielës.

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish