Lushaku-Sadriu: Kur ka vullnet politik, institucionet formohen më lehtë

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, ka deklaruar se situata e krijuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës dëshmon se, kur ekziston vullneti politik, institucionet mund të formohen më lehtë.

Ajo tha se vonesat në konstituimin e Kuvendit, sipas saj, kanë ardhur si pasojë e mungesës së vullnetit politik të grupit më të madh parlamentar.

“Kjo është një dëshmi që kur ka vullnet politik dhe kur ushtrimi i demokracisë bëhet më i lehtë, kemi institucione. Po shihet që vetëm mungesa e vullnetit politik të grupit të parë parlamentar ka bërë që të ketë vonesa deri në ditën e sotme”, tha Lushaku-Sadriu.

Ajo kujtoi se LDK-ja kishte kërkuar që grupeve parlamentare t’u njihej e drejta për të propozuar kandidatët e tyre për nënkryetarë të Kuvendit.

“Ne u kemi bërë thirrje grupit më të madh parlamentar që t’u njohin të drejtën partive politike për propozimin e emrave për nënkryetarë, sepse është e drejtë kushtetuese e tyre. Vetëm pas ndërrimit të qëndrimit të tyre, ne erdhëm dhe u bashkëngjitëm në seancë dhe u votua kandidati i LDK-së për nënkryetar”, deklaroi ajo.

Lushaku-Sadriu tha se sot LDK-ja kontribuoi në zgjedhjen e nënkryetarëve dhe në funksionalizimin e institucioneve.

“Kur ekziston vullneti politik, institucionet mund të bëhen shumë lehtë. Është shumë e vështirë kur një grup parlamentar, siç është Vetëvendosja, që është shumë në numër, nuk ka vullnet politik. Por sot është një gjendje tjetër, prandaj ne erdhëm dhe e mundësuam formimin dhe zgjedhjen e nënkryetarëve”, tha ajo.

Duke folur për situatën e krijuar pas mospjesëmarrjes së PDK-së në seancë, Lushaku-Sadriu tha se kjo është një rrethanë e re dhe se çështjet e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë duhet të sqarohen në Gjykatën Kushtetuese.

Ajo konfirmoi se LDK-ja do të mbështesë iniciativat ligjore për adresimin e dilemave kushtetuese.

“Absolutisht, ne mbështesim secilën iniciativë ligjore. Do të ndërmarrim edhe vetë iniciativa për të gjitha dilemat kushtetuese, sepse kemi dëshirë që të sqarohen dilemat që i kemi për sa i përket afateve kushtetuese”, u shpreh deputetja e LDK-së.

“Ne kemi ardhur sot për të votuar nënkryetarët e propozuar nga grupet parlamentare. Tani çështjet ligjore dhe kushtetuese ia lëmë Gjykatës Kushtetuese. Ne, me vullnetin tonë politik, edhe si parti politike, edhe si grup parlamentar, kemi ardhur të kontribuojmë në konstituimin e Kuvendit si institucion i pavarur”, përfundoi Lushaku-Sadriu.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish