Mbahet takim për koordinimin e donatorëve në sektorin e rinisë

Ministria e Sportit dhe Rinisë ka organizuar sot “Takimin e Nivelit të Lartë për Koordinimin e Donatorëve” në fushën e rinisë, me pjesëmarrjen e partnerëve ndërkombëtarë dhe donatorëve që mbështesin zhvillimin e të rinjve në Kosovë, transmeton KosovaPost.

Sipas një njoftimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës, në hapje të takimit ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka theksuar rëndësinë e koordinimit institucional dhe partneritetit me donatorët për adresimin e nevojave të të rinjve dhe sigurimin e investimeve sa më efektive në zhvillimin e tyre.

Në njoftim thuhet se ky ishte takimi i parë i këtij lloji në sektorin e rinisë në Kosovë, duke krijuar një platformë të përbashkët për diskutimin e prioriteteve dhe orientimin e mbështetjes për të rinjtë.

Gjatë takimit është prezantuar gjendja aktuale e mbështetjes për rininë në Kosovë, sfidat me të cilat përballen të rinjtë, si dhe mundësitë ekzistuese dhe të planifikuara nga donatorët dhe partnerët zhvillimorë. Diskutimet janë fokusuar në tri fusha prioritare: Rinia, Paqja dhe Siguria.

Sipas njoftimit, takimi shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të koordinimit ndërmjet institucioneve dhe partnerëve, me synimin për të krijuar një pasqyrë më të qartë të investimeve në sektorin e rinisë, për të shmangur mbivendosjen e aktiviteteve dhe për të adresuar në mënyrë më efektive nevojat e të rinjve në nivel qendror dhe lokal.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish