Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shprehu bindjen se është e pamundur që presidenti rus, Vladimir Putin, të sulmojë një vend të NATO-s.
“Asnjë njeri serioz nuk mund të thotë për Rusinë se synon ta sulmojë NATO-n”, tha ai në një intervistë për gazetën gjermane, Bild, e cila u publikua të hënën.
Sulmi kundër NATO-s është krejtësisht i pamundur – jo vetëm për Rusinë, por për këdo në botë – pasi është komuniteti më i fuqishëm ushtarak, tha Orban.
Prej se ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Putin ka bërë disa kërcënime – qoftë direkte, qoftë të tërthorta – kundër NATO-s.
Duke folur për zgjedhjet presidenciale në SHBA, që do të mbahen në nëntor, Orban tha se beson se presidenti aktual, Joe Biden, nuk do të rizgjidhet.
Ai e lavdëroi kundërkandidatin republikan të Bidenit, Donald Trump.
“Ai është një biznesmen, është një njeri i vetëkrijuar, ka qasje ndryshe për gjithçka. Dhe, unë mendoj se kjo është gjë e mirë për politikën botërore”, tha Orban për gazetën gjermane.
“Të mos harrojmë se ai është njeri i paqes”, pohoi Orban, duke shtuar se Trump nuk ka nisur asnjë luftë të vetme gjatë katër vjetëve të tij në detyrë.


























