Ndërsa Beogradi zyrtar vazhdon të mos e njohë gjenocidin në Srebrenicë, organizatat e shoqërisë civile vazhdojnë të bëjnë thirrje për ballafaqim me të kaluarën. Shënimi i sivjetshëm i përvjetorit në Beograd u shënua nga sulmi ndaj njërit prej organizatorëve dhe grafite në mbështetje të Ratko Mladiqit.
Tridhjetë e një vjet pas gjenocidit në Srebrenicë, përvjetori i sivjetshëm në Beograd u shënua nga dhuna dhe grafite në mbështetje të kriminelit të dënuar të luftës, Ratko Mladiq. Pak para fillimit të paralajmëruar të përkujtimit pranë “Urës së Brankos”, një grup të rinjsh sulmoi fizikisht shkrimtarin dhe njërin nga organizatorët, Vladimir Arsenijeviq, nga organizata KROKODIL, ndërsa në hapësirën ku ishte planifikuar të mbahej ceremonia u shfaqën grafite që lavdëronin Ratko Mladiqin. Pas incidentit, përkujtimi u anulua, ndërsa policia kreu hetimet në vendngjarje.
Koalicioni “Njerëzit kujtojnë njerëzit”, i përbërë nga organizata të shoqërisë civile, fondacione, artistë dhe qytetarë, edhe këtë vit organizoi një sërë aktivitetesh përkujtimore me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Koalicioni u krijua vitin e kaluar me synimin për të zhvilluar praktikën e kujtesës publike për viktimat e gjenocidit, duke qenë se në Serbi nuk organizohet asnjë përkujtim zyrtar shtetëror. Megjithatë, në vend të ceremonisë përkujtimore, organizatorët u përballën me dhunë.
Nga organizata KROKODIL, anëtare e koalicionit, thanë për RTK-në se një grup prej rreth tridhjetë të rinjsh mbërriti pak para fillimit të aktivitetit dhe shkroi grafite urrejtjeje në hapësirën që organizatorët e kishin pastruar dhe përgatitur për përkujtimin.
“Vladimir Arsenijeviq ishte aty dhe një grup të rinjsh erdhi pak para fillimit të aktivitetit për ta vandalizuar atë hapësirë. Ishin rreth tridhjetë persona dhe shkruan grafite urrejtjeje në vendin që ne e kishim pastruar dhe përgatitur për mbajtjen e ceremonisë përkujtimore. Kur u shfaq Vladimiri, ata e sulmuan fizikisht”, thanë nga KROKODIL për RTK-në.
Më vonë, Arsenijeviq publikoi një video në rrjetet sociale, ku duken lëndimet në fytyrën e tij. Ai tha se ishte goditur dhe fyer nga një grup prej 20 deri në 30 personash, ndërsa po përgatiste hapësirën për ceremoninë përkujtimore.
Sulmi u dënua nga Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG), Qendra Serbe PEN, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, Milan Antonijeviq, dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Andreas von Beckerath, të cilët kërkuan hetim të menjëhershëm dhe nxjerrjen e autorëve para drejtësisë.
Organizatorët vlerësojnë se ky incident tregon se ballafaqimi me të kaluarën në Serbi mbetet ende një proces i vështirë. Katarina Grkoviq nga organizata KROKODIL rikujton se koalicioni “Njerëzit kujtojnë njerëzit” u themelua pikërisht për shkak të mungesës së një përkujtimi institucional të përvjetorit të gjenocidit.
“Në Serbi nuk ka një përkujtim zyrtar të këtij gjenocidi, prandaj u mblodhëm për të ruajtur kujtesën kolektive. Sulmi i sotëm tregon se kjo temë mbetet ende tabu dhe se mungesa e reagimit institucional kontribuon në normalizimin e dhunës”, tha Grkoviq.
Përfaqësuesi i organizatës Hartefact, Aleksa Krstiq, tha se qëllimi i përkujtimit ishte të dëshmohej se në Serbi ka qytetarë që i kujtojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe të gjitha viktimat e luftërave të viteve nëntëdhjetë.
“Në Serbi vazhdon të ekzistojë një kulturë e heshtjes dhe e mohimit të krimeve të luftës, e pranishme në hapësirën publike, në media dhe në diskursin politik. Njohja e gjenocidit në Srebrenicë dhe e krimeve të tjera të luftës nga vitet nëntëdhjetë është një parakusht i rëndësishëm për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme dhe marrëdhënieve më të mira në rajon. Këtë ua kemi borxh familjeve të viktimave, por edhe brezave të ardhshëm”, tha Krstiq.
Ndryshe nga organizatat e shoqërisë civile, Beogradi zyrtar vazhdon të mos e pranojë se në Srebrenicë është kryer gjenocid. Me rastin e përvjetorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se 11 korriku është “një ditë kur duhet të shprehet nderim për viktimat boshnjake në Srebrenicë” dhe se Serbia “gjithmonë u përkulet thellësisht viktimave”, por edhe kësaj radhe nuk e përdori termin gjenocid.
Me rastin e 31-vjetorit të gjenocidit, disa organizata të shoqërisë civile kërkuan sërish nga institucionet e Serbisë që ta njohin gjenocidin në Srebrenicë, t’i japin fund politikës së mohimit të tij dhe të vendosin përgjegjësi penale për mohimin e gjenocidit dhe të krimeve të tjera të luftës.
Organizata Gratë në të Zeza kërkoi që Serbia ta njohë gjenocidin në Srebrenicë, që presidenti i Republikës dhe zyrtarët e tjerë shtetërorë të ndalojnë mohimin e tij, që mohimi i gjenocidit të sanksionohet si vepër penale dhe që 11 korriku të shpallet Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Pavarësisht sulmit, anulimit të ceremonisë përkujtimore dhe mesazheve të urrejtjes të shkruara në vendin e kujtimit, organizatorët theksojnë se nuk do të heqin dorë nga shënimi i përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë. Sipas tyre, dhuna, grafitet dhe përpjekjet për frikësim nuk mund të fshijnë kujtimin për viktimat dhe as të ndryshojnë faktet e vërtetuara nga gjykatat për gjenocidin. /rtk



























