Policia e Kosovës ka njoftuar se, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë sot ka realizuar dy ekstradime.
Sipas Policisë, njëri prej rasteve ka të bëjë me ekstradimin nga Maqedonia e Veriut në Kosovë të shtetasit kosovar G.K., i cili kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës.
G.K. ishte i përfshirë në veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv.
Ekstradimi u realizua në pikëkalimin kufitar “Hani i Elezit”, ku, sipas Policisë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të policisë së DRP Prizren për procedura të mëtejshme ligjore.
Po më 26 gusht, nga Kosova në Gjermani u ekstradua shtetasi gjerman F.R., i cili kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë gjermane.
F.R. kërkohej në lidhje me veprën penale “Trafikimi me narkotikë”.
Sipas Policisë së Kosovës, ekstradimi u realizua në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ku i dyshuari iu dorëzua zyrtarëve përgjegjës të policisë gjermane për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto ekstradime janë realizuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë.


























