Deklarata e Trump se Shqipëria është një nga opsionet për planin e tij për të zhvendosur 100 mijë palestinezë, ka bërë xhiron e botës. Kjo deklaratë hedh poshtë përbetimet e Ramës se Shqipëria nuk është pjesë e këtij plani dhe se ai, as që është diskutuar.
Por presidenti Trump thotë diçka krejtësisht të kundërt, duke pohuar se është vetë Shqipëria që është treguar e gatshme. I pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me mbretin e Jordanisë për Shqipërinë dhe Indonezinë, Presidenti Donald Trump u përgjigj: “Po, sigurisht, ka vende të tjera që duan të përfshihen”.
Më herët kryeministri Rama e ka përjashtuar këtë mundësi kur një gazetar i njohur izraelit e përmendi Shqipërinë dhe Indonezinë si dy opsione që janë në tavolinën e SHBA, për realizimin e këtij plani.
A po merrni në konsideratë vende të tjera për të dërguar palestinezët përveç Egjiptit dhe Jordanisë, ka pasur fjalë për vende të tjera si Shqipëria apo Indonezia?
Donald Trump: Po, sigurisht. Dhe ka vende të tjera që duan të përfshihen. Ka shumë njerëz që duan të përfshihen.
Ka një sens dëshire për të ndihmuar palestinezët. Ka shumë vende të mira, njerëz që drejtojnë këto vende me zemra të mëdha dhe ky zotëria këtu është në krye të listës.


























