Bisedimet mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, raportohet se kanë hasur në mospajtime lidhur me renditjen e hapave që duhet të ndërmerren në Kuvend.
Sipas raportimeve, Kurti ka kërkuar që fillimisht Projektligji për Dhomat e Specializuara të miratohet në lexim të parë. Pas kësaj, Kuvendi do të kalonte në procesin e zgjedhjes së Presidentit, ndërsa vetëm më pas do të procedohej leximi i dytë i projektligjit.
Kjo kërkesë raportohet se nuk është pranuar nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i cili ka kërkuar që ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të përfundojnë në Kuvend, pra të miratohen në të dy leximet, para se PDK-ja të përfshihet në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Megjithatë, raportohet se PDK-ja nuk ka vendosur kusht që Presidenti i ardhshëm të jetë kandidat i saj. Hamza i ka bërë të ditur Kurtit se është i hapur për propozime për emrin e Presidentit, nëse paraprakisht përfundon procedura parlamentare për Ligjin e Speciales.
Takimi Kurti-Hamza zgjati më shumë se dy orë. Pas takimit, Hamza tha se bisedimet kanë përfunduar dhe se kanë mbetur edhe disa ditë për të parë nëse mund të arrihet një marrëveshje.
Koha për një kompromis është e kufizuar, pasi afati për zgjedhjen e Presidentit po afrohet. Në rast të dështimit të procesit, vendi do të përballej me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.


























