Më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi qëndroi në foltoren e Kuvendit të Kosovës dhe lexoi fjalët që do ta përcaktonin vendin e tij në historinë e shtetit më të ri të Evropës.
“Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj deklarate, shpallim Kosovën shtet të pavarur dhe demokratik”, tha Thaçi.
Ai ishte atëherë 40 vjeç, kryeministër i Kosovës dhe ish-udhëheqës politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fotografia e tij në Kuvend u bë një nga imazhet përcaktuese të 17 shkurtit.
Tetëmbëdhjetë vjet më vonë, një tjetër imazh i Thaçit hyn në historinë e Kosovës.
Më 16 shtator 2026, ai qëndroi në një sallë gjyqi në Hagë dhe dëgjoi një trup gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës ta shpallte fajtor për krime lufte.
“Trupi gjykues ju dënon me një dënim të njësuar me 25 vjet burgim”, u tha në aktgjykim.
Asnjëra fotografi nuk e fshin tjetrën, por, prej këtij aktgjykimi, ato do të ekzistojnë së bashku.
Pyetja është se çfarë i bën kjo jo vetëm trashëgimisë së Thaçit, por edhe mënyrës se si do të lexohet historia e shtetit që ai ndihmoi ta krijonte.
Çfarë gjykoi Haga?
Mark Ellis, drejtor i Odës Ndërkombëtare të Avokatëve, thotë se përgjigjja juridike nuk lë shumë hapësirë për dilemë: këto janë dy çështje krejtësisht të ndara.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara kishin për detyrë të përcaktonin përgjegjësinë penale të katër individëve – Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit – dhe jo të gjykonin shtetin që u krijua më vonë.
“Ata i shpallën këta katër individë fajtorë për krime lufte dhe për përgjegjësinë e tyre individuale. Kjo është ajo që përcakton ligji. Nuk do të duhej të kishte ndonjë ndikim tjetër mbi shtetin”, thotë Ellis për Radion Evropa e Lirë.
Për pavarësinë, përgjigjja juridike u dha edhe vite më parë.
Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë konstatoi se Deklarata e 17 shkurtit nuk e shkeli të drejtën ndërkombëtare.
Vija u tërhoq qartë edhe në Dhomat e Specializuara: synimi për pavarësinë e Kosovës nuk ishte objekt i përgjegjësisë penale. Aktgjykimi trajtoi krimet e kryera ndaj personave të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së.
Megjithatë, ajo që ndahet qartë në një sallë gjyqi, mund të bashkohet më lehtë në betejën politike për historinë.
Një aktgjykim që mund të marrë një jetë tjetër
Pikërisht këtu, sipas studiuesit Abit Hoxha nga Universiteti Agder në Norvegji, aktgjykimi mund të marrë një jetë tjetër.
Jo duke ndryshuar statusin juridik të Kosovës, por duke hyrë në përplasjen shumë më të vjetër për mënyrën se si interpretohet pavarësia e saj.
Hoxha thotë se vendimi mund të lërë “një njollë të madhe” në këtë histori dhe pret që Serbia dhe Rusia, të cilat vazhdojnë ta kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, ta përdorin dënimin e Thaçit për të sfiduar narrativin mbi të cilin Kosova e ka ndërtuar shtetësinë e saj dhe për ta shtyrë këtë interpretim edhe përtej tyre.
“Vendet sikurse Qiproja, Rumania, Spanja, Greqia… do ta kenë shumë më të vështirë ta njohin pavarësinë e Kosovës, për shkak të këtij argumenti. Të gjithë njerëzit që janë kundërshtarë të Kosovës, do të thonë se themeli i shtetit të Kosovës është bërë mbi krime të luftës. Këtu është rreziku më i madh që unë e shoh”, thotë Hoxha për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
Për vetë figurën e Thaçit, Hoxha përdor një përkufizim më të fortë. Ai e përshkruan si “babain e pavarësisë së Kosovës” – jo vetëm për faktin se lexoi Deklaratën, por për rolin që kishte në gjithë procesin që çoi deri tek ajo.
Është një rol që, sipas Hoxhës, aktgjykimi mund ta komplikojë, por nuk mund ta fshijë nga historia.
Kjo për faktin se rruga e Thaçit përshkoi disa prej etapave vendimtare të historisë së re të Kosovës.
Nga veprimtaria politike dhe roli udhëheqës në UÇK, ai kaloi në negociatat ndërkombëtare për Kosovën dhe, pas luftës, në krye të institucioneve të saj.
Ishte kryeministër kur u shpall pavarësia, më vonë president dhe një nga figurat kryesore në dialogun me Serbinë dhe në marrëdhëniet me Perëndimin.
Dy mënyra për ta kujtuar Thaçin
Por, kjo histori e gjatë politike ngre edhe pyetjen se sa mund të ndahet aktgjykimi i Hagës nga trashëgimia e Thaçit.
Për studiuesin Armend Bekaj nga Universiteti Uppsala në Suedi, mënyra se si do të kujtohet Thaçi nuk ka vetëm një përgjigje.
“Për shumëkë, Hashim Thaçi do të vazhdojë të jetë heroi i luftës dhe i paqes, por, njëkohësisht, edhe për shumëkë do të jetë një person, i cili u shpall fajtor për krime lufte. Besoj që kjo gjykatë, fatkeqësisht, ka ofruar material të bollshëm për politikanin, akademikun, gazetarin e sotëm, e nesërm, që të shkruajë vëllime të tëra si për njërin ekstrem, ashtu edhe për ekstremin tjetër”, thotë Bekaj për Exposenë.
Për ata që do ta lexojnë Thaçin vetëm përmes aktgjykimit, Bekaj shton se duhet kujtuar edhe konteksti: rruga e tij nga UÇK-ja deri te pavarësia u përshkua me mbështetje të fuqishme të Perëndimit, mbi të gjitha të Shteteve të Bashkuara.
Si dëshmi të këtij raporti, ai përmend edhe paraqitjen në mbrojtje të Thaçit të ish-zyrtarëve të lartë amerikanë, si Wesley Clark dhe James Rubin.
“Hashim Thaçi dhe liderët e tjerë të UÇK-së, dhe jo vetëm të UÇK-së, kanë qenë partnerë në çdo hap – prej kohës së rezistencës civile, rezistencës së armatosur drejt bërjes së Kosovës shtet – kanë punuar në një afërsi të jashtëzakonshme me miqtë euroatlantikë”, thotë Bekaj.
A duhet Perëndimi ta rilexojë atë periudhë?
Ky partneritet e zgjeron pyetjen përtej vetë Thaçit.
Nëse ai ishte një nga figurat kryesore me të cilat Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre punuan në rrugën drejt pavarësisë, a e detyron aktgjykimi i Hagës Perëndimin ta rilexojë edhe atë periudhë?
Charles Kupchan, ish-zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe profesor në Universitetin Georgetown, nuk mendon kështu.
“…sepse Thaçi e bëri atë kalim, apo jo? Nga një udhëheqës i kohës së luftës, i dënuar tani për mizori, ai u bë një udhëheqës civil që ndihmoi Kosovën të ecte drejt pavarësisë dhe të ndërtonte marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara, me fuqitë evropiane dhe me të tjerët. Prandaj, nuk mendoj se kjo do të ndryshojë”, thotë Kupchan për Exposenë.
Me fjalët e tij, verdikti mund të jetë një tronditje afatshkurtër, por jo një goditje që do të ndryshojë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Ai nuk pret tërheqje të njohjeve, dëmtim të partneriteteve me Perëndimin apo pengim të rrugës euroatlantike. Sipas tij, as procesi i normalizimit me Serbinë nuk vihet në pikëpyetje.
Madje, në planin afatgjatë, ai sheh mundësinë edhe të një efekti pozitiv, nëse procesi shihet si dëshmi se drejtësia zbatohet njësoj për të gjithë.
“Kosova po luftonte për t’u mbrojtur nga spastrimi etnik dhe, për këtë arsye, lufta për pavarësi ishte një luftë e drejtë. Megjithatë, një luftë e drejtë nuk i justifikon krimet e luftës. Një padrejtësi nuk mund të arsyetohet me një padrejtësi tjetër. Nëse Thaçi dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së kanë kryer krime lufte – edhe pse kauza për të cilën luftonin ishte e drejtë – atëherë mendoj se gjykata ka bërë atë që duhej të bënte”, thotë Kupchan.
Nga “George Washingtoni i Kosovës” te Haga
Ky kontrast nuk kaloi pa u vënë re edhe jashtë Kosovës.
Në raportimet për aktgjykimin, mediat ndërkombëtare e përshkruan Thaçin jo vetëm si ish-president dhe ish-udhëheqës të UÇK-së, por edhe si një nga figurat qendrore të pavarësisë.
AFP-ja e përmblodhi transformimin në një titull: “Nga ‘George Washingtoni i Kosovës’ në të dënuar në Hagë”. Krahasimi lidhet me një përshkrim që Joe Biden kishte përdorur për Thaçin gjatë kohës kur ishte nënpresident i Shteteve të Bashkuara.
Associated Press kujtoi se Thaçi, i cili u kthye nga Zvicra për t’iu bashkuar luftës në Kosovë, u pranua më pas nga udhëheqësit perëndimorë, mori pjesë në negociatat e Rambujesë më 1999 dhe u pa si një prej figurave që mund ta udhëhiqnin Kosovën drejt pavarësisë.
Guardian shkroi se Thaçi, dikur me qëndrime të ashpra, më pas u zhvendos drejt një profili politik më të moderuar.
The Times, po ashtu, e përmblodhi kontrastin që në titull: “‘Gjarpri’, hero i Kosovës, i dënuar për krime lufte”.
Një trashëgimi që tash ka dy anë
Kur pyetet se cili imazh i Thaçit do të peshojë më shumë pas disa dekadash – njeriu që ndihmoi ta çonte Kosovën drejt pavarësisë apo njeriu i dënuar për krime lufte – Kupchan nuk zgjedh mes tyre.
“Si edhe me udhëheqës të tjerë që kanë bërë gjëra të guximshme dhe me vlerë, por që njëkohësisht janë akuzuar edhe për vepra penale, përfshirë krime lufte, edhe në rastin e Thaçit ekzistojnë të dyja anët. Është një trashëgimi e ndërlikuar. Thaçi do të kujtohet për rolin që kishte në udhëheqjen e Kosovës drejt pavarësisë. Por, në të njëjtën kohë, trashëgimia e tij tash do të jetë e lidhur edhe me këtë aktgjykim”, thotë Kupchan.
Dy momentet i ndajnë pak mbi 18 vjet.
Se cili prej tyre do të peshojë më shumë në mënyrën se si do të kujtohet Thaçi, mbetet një pyetje për vitet që vijnë.
Por, 16 shtatori nuk ndryshoi vetëm trashëgiminë e tij.
Në të njëjtën sallë, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 – të gjithë për krime lufte.
Në Kosovë, aktgjykimi u prit me reagime të forta dhe me shpresën se fjala e fundit mund të mos jetë thënë ende.
Sepse, pas më shumë se tre vjetësh gjykim dhe një aktgjykimi që dha gjithsej 81 vjet burgim për katër ish-udhëheqësit e UÇK-së, vëmendja tash zhvendoset tek apeli./rel


























