Edhe anëtarësimi nëpër organizata ndërkombëtare – si Këshilli i Evropës – për Kosovën sipas tij lidhet me Serbinë, përmes procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Sa i përket anëtarësimit të ardhshëm të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare: rruga e Kosovës drejt BE-së, NATO-s dhe të tjerave do të jetë e përcaktueshme nga dialogu i suksesshëm. Nuk mund të ketë pistë për procedurë të shpejtë të tij”, është shprehur Sarrazin në intervistë për KlanKosova.tv.
Ky proces që zgjat mbi një dekadë, sipas emisarit gjerman, është shtegu i vetëm për ndërkombëtarizmin e asaj që Kosova aspiron.
Përgjigje ai i jep edhe çështjes nëse duhet të përdoret lufta në Ukrainë që të shtyhet përpara proceset për vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe për liberalizimin e vizave për kosovarët ku thekson se do të duhej të ndodhte shumë kohë më parë.
“Pozicioni i Gjermanisë është shumë i qartë dhe po ashtu është i përmendur në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë sime: ky hap është shumë i vonuar”.
Në intervistë, Sarrazin flet edhe nëse emërimi i tij është rivalizim apo mosbesim në Miroslav Lajçakun e BE-së, luftën në Ukrainë dhe ndikim e saj në Ballkan, si dhe planet për vizitën e ardhshme në Prishtinë.
INTERVISTA E PLOTË:
Para afro dy muajsh jeni emëruar i dërguar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor. Cilat janë objektivat tuaja dhe projektet që do të shtyni përpara për këtë pjesë të Evropës?
Manuel Sarrazin: Gjermania nënvizon përpjekjet e saj për të integruar gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke krijuar këtë pozitë të Përfaqësuesit Special të Qeverisë Federale. Duke pasë këtë si qëllimin kryesor në mendje, unë dua që të mbështes reformën dhe proceset e pajtimit në rajon dhe të nxis bashkëpunimin rajonal sipas kornizës së Procesit të Berlinit, sikurse edhe marrëdhëniet tona dypalëshe.
Planifikoj që të jem i pranishëm në rajon për ta shtuar angazhimin tonë në të gjitha këto çështjet. Në rolin tim, do të koordinohem ngusht me të gjithë partnerët tanë dhe Përfaqësuesit Specialë të Bashkimit Evropian. Paqja në Ballkanin Perëndimor dhe integrimi i suksesshëm në BE janë ndër çështjet më të rëndësishmeve për mua.
Përmendët të dërguarit e posaçëm. Ka një të dërguar të SHBA-së, një të Bashkimit Evropian, një nga Britania e Madhe dhe i fundit jeni ju. Cila është porosia që përçohet duke pasë kaq emisarë për gjashtë shtete të vogla?
Manuel Sarrazin: Fakti që tri vende kanë emëruar të dërguar specialë e thekson prioritizimin e lartë të Ballkanit Perëndimor në agjendën ndërkombëtare.
Perspektiva Evropian e Ballkanit Perëndimor është e rëndësisë strategjike si për rajonin njashtu edhe për BE-në. Është prej prioriteteve më të larta për Qeverinë e Gjermanisë. Nuk ka pikë dyshimi: E ardhmja e gjashtë vendeve është në BE.
A mund të jetë shenjë e mosbesimit të Gjermanisë në Miroslav Lajçak i cili është i dërguar i unionit dhe prandaj jeni dërguar ju si emisar i veçantë, apo ka ndonjë porosi tjetër që përçohet përmes kësaj lëvizjeje?
Manuel Sarrazin: Aspak! Bashkë me ministren e Jashtme, Annalena Baerbock mbështesim plotësisht dhe kemi besim në Miroslav Lajçak me të cilin kemi kontakte të afërta. Gjermania është thellë e angazhuar për normalizim të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Përparimi është urgjentisht i nevojshëm, meqë marrëdhënia dypalëshe e pazgjidhur i pengon të dyja vendet dhe mbarë rajonin. Mbetet një rrezik potencial për sigurinë e Evropës.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi po zgjatë mbi dhjetë vjet. Cila është pikëpamja juaj për këtë proces? Kur e si mund të përfundojë?
Manuel Sarrazin: Qëllimi është i qartë: Ne duam një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim që i hapë rrugë anëtarësimit të ardhshëm në BE të të dyja vendeve dhe i kontribuon stabilitetit rajonal. Për ne kjo qartazi nënkupton njohje të ndërsjellë, sepse s’është e përfytyrueshme që të ketë dy vende tek hyjnë në Bashkimin Evropian e të cilat s’e njohin njëra-tjetrën. Për ta arritur këtë, ne presim që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive.
Në vitet e fundit, dialogu ka dhënë shumë rezultate të kapshme për qytetarët e Kosovës. Kjo është në interes të njerëzve në Kosovë por po ashtu në Serbi, sepse stabiliteti dhe përmirësimi i marrëdhënieve ndërfqinjësore janë faktorë kyç për sjelljen e investimeve dhe vendeve të punës në rajon. Dhe, politikisht kjo është rruga e vetme për ndërkombëtarizimin e asaj që Kosova aspiron.
Janë pesë vende të BE-së, Spanja, Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia që nuk e njohin Kosovën nga pavarësimi më 2008. Cili do të jetë angazhimi juaj që të binden këto shtete por edhe të tjera në mbarë botën për ta njohur Kosovën?
Maneul Sarrazin: Gjermania ishte një prej vendeve të para që njohu mëvetësinë e Kosovës dhe ne jemi dhe mbesim një prej partnerëve më të afërt. Në këtë kuptim, ne mbështesim njohjen nga të gjitha vendet anëtare.
Nga 24 shkurti ka një situatë të re në Evropë. Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, shihni se mund të ketë aq ndikim në Ballkanin Perëndimor?
Manuel Sarrazin: Kjo luftë e agresionit rus është e drejtuar kundër vlerave dhe lirisë evropiane. Kjo luftë kundër Ukrainës u dënua gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar. Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë dënuar këtë agresion, për shembull, duke votuar bashkërisht në favor të rezolutës “Bashkimi për Paqe” në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Shto kësaj, që ne presim përafrim të plotë me sanksionet evropiane kundër Rusisë. E mirëpresim qëndrimin e qeverisë së Kosovës në këtë drejtim. Ne po ashtu vlerësojmë vullnetin e Kosovës për të pritur refugjatë ukrainas.
Nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ka që janë anëtare të NATO-s, disa u janë hapur kapitujt për anëtarësim në BE, disa pritet që t’u çelen negociatat e Kosova ende nuk ka as liberalizim vizash. A po diskriminohen kosovarët nga Evropa, duke qenë të fundit në çdo proces drejt BE-së?
Manuel Sarrazin: Lidhur me liberalizimin e vizave, pozicioni i Gjermanisë është shumë i qartë dhe po ashtu është i përmendur në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë sime: ky hap është shumë i vonuar. Bashkimi Evropian duhet të lëvizë drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ne jemi duke punuar që kjo të kryhet. E kuptoj në plotni frustrimin e shkaktuar nga ky proces i zgjatur.
Mendoni se duhet të shfrytëzohet situata në Ukrainë dhe proceset e hapura për Kosovën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor të shtyhen përpara më shumë se kurrë?
Manuel Sarrazin: E kam thënë troç: E ardhmja evropiane për të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor është prioritet kyç për qeverinë e re gjermane. Lufta e tmerrshme ruse e agresionit në Ukrainë duhet ndalur. Nuk duhet të flasim se si ta “përdorim” atë për qëllime të tjera. Është kohë kritike, ku partnerët duhet të punojë së bashku dhe të jenë konstruktivë.
Atëherë, cila është përkrahja që Gjermania i jep Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, NATO, BE dhe organizata të tjera?
Sa i përket anëtarësimit të ardhshëm të Kosovës në organizatat rajonale e ndërkombëtare: rruga e Kosovës drejt BE-së, NATO-s dhe të tjerave do të përcaktohet nga dialogu i suksesshëm.
Nuk mund të ketë pistë për procedurë të shpejtë të tij. Vendimet sikur ai i refuzimit të një kompromisi për votuesit me të drejtë vote në Kosovë për të votuar në zgjedhjet e Serbisë, ka vënë një sinjal të gabuar për ambiciet ndërkombëtare të Kosovës.
Ne dëshirojmë që Kosova të vazhdojë t’u tregojë partnerëve se është vend i besueshëm, konstruktiv dhe I përgjegjshëm që punon drejt zgjidhjes së konflikteve, në vend se t’u fryjë atyre. Në këtë mënyrë, Kosova do të ndërtonte një reputacion pozitiv ndërkombëtar dhe aplikimi i ardhshëm për anëtarësim do të merrte mbështetje të madhe.
Prej kur keni marrë detyrën, sa keni kontaktuar me drejtuesit e institucioneve në Kosovë dhe kur do ta vizitoni Kosovën përsëri?
Manuel Sarrazin: Shumë pak kohë që prej emërimit tim si i Dërguar Special, kam vizituar Kosovën, më 10-11 mars, kur shoqërova ministren e Jashtme, Baerbock. Për të përcjellë çështjet, jam duke planifikuar një vizitë tjetër në Kosovë në mes të muajit maj.
Nga fillimi përmendët dialogun, por Serbia përveç që nuk e njeh Kosovën, e cenon në vazhdimësi integritetin e saj si shtet sovran. Si besoni ju se mund të ndalet Serbia, e cila në këtë pikë e ka mbështetjen edhe të Rusisë? Veriu i Kosovës është pikë e nxehtë dhe tash ka një frikë se mund të sulmohet kjo pjesë e vendit, ashtu siç po ngjan në Ukrainë. A është kjo frikë e arsyeshme?
Manuel Sarrazin: Vlera e paqes është e pamatshme. Nuk do të lejojmë një erozion të situatës së sigurisë në këtë rajon. Prandaj, ne mbështesim të gjitha përpjekjet për forcim të bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën evropiane për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Qenësore për normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve me Serbinë është dialogu.
Gjithashtu, ne duam që të shohim një angazhim të vërtetë drejtë identitetit multietnik që Kosova ka: Serbët e Kosovës janë pjesë e shoqërisë kosovare, kulturës dhe të ardhmes së Kosovës. Për këtë është aq me rëndësi që të forcohet dialogu i brendshëm në Kosovë dhe në të njëjtën kohë të zhvillohet një qasje pragmatike ndaj negociatave me Serbinë. Frika është e kundërta e progresit.
Është bindje e jona se kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse do të zgjidhte çështjet e pazgjidhura prej kohësh dhe do të kontribuonte në stabilitetin rajonal