Policia e Kosovës ka sekuestruar përkohësisht një automjet furgon dhe rreth 1,000 artikuj të ndryshëm, të cilët dyshohet se ndodheshin pa dokumentacion përkatës në Han të Elezit, përcjell KosovaPost.
Sipas Policisë, më 28 shtator 2026, njësitet e Drejtorisë së Kufirit kanë pranuar informacion për një furgon me targa vendore, i parkuar në Han të Elezit, që dyshohej se ishte i ngarkuar me mallra të ndryshme pa dokumentacion.
Gjatë veprimeve në terren, policia ka identifikuar edhe një depo ku ndodheshin mallra të ndryshme. Në koordinim me prokurorin kujdestar, automjeti dhe mallrat janë sekuestruar përkohësisht.
Të nesërmen, pas ekzaminimit të mallrave nga zyrtarët e Doganës së Kosovës, rasti është iniciuar si kundërvajtje doganore.
Gjatë numërimit janë evidentuar rreth 1,000 artikuj, përfshirë pajisje elektronike dhe teknike, pajisje kompjuterike, tekstil, materiale të ndryshme, duhan të papërpunuar dhe artikuj të tjerë.
Automjeti dhe mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar njësisë kompetente të Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme.



























