Sekuestrohen rreth 5.5 kilogramë substanca narkotike në Ferizaj, dy të arrestuar

Dy persona janë arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike, si dhe për posedim të paautorizuar të armës.

Sipas Policisë së Kosovës, njësitë relevante, pas një pune intensive hetimore, kanë arrestuar dy të dyshuar meshkuj, një shtetas të Shqipërisë dhe një shtetas të Kosovës.

Gjatë bastisjes në dy lokacione në Ferizaj, një bodrum të një banese dhe një shtëpi banimi që shfrytëzoheshin nga të dyshuarit, policia ka gjetur dhe konfiskuar një sasi të konsiderueshme të substancave narkotike dhe dëshmi të tjera materiale.

“Në mesin e sendeve të konfiskuara janë rreth 5.5 kilogramë substanca narkotike, me vlerë të tregut rreth 8 mijë euro, si dhe 2,250 euro dhe 18,500 lekë para të gatshme”, thuhet në raportin policor.

Po ashtu, policia ka konfiskuar një veturë me targa të Shqipërisë, një armë-pistoletë me pesë fishekë shkollorë, një peshore digjitale, foli dhe qese transparente që dyshohet se janë përdorur për paketim, dy telefona celularë, një USB, disa SIM-kartela, dy kartela bankare, një pasaportë dhe një çantë me dokumente të ndryshme.

Të dyshuarit, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orëndërsa rasti është duke u hetuar nga autoritetet kompetente.

 

Të ngjajshme

AlbanianBosnianEnglishGermanTurkish