Shtetet e Bashkuara kanë larguar Sirinë nga lista e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, ku vendi ishte përfshirë që nga viti 1979.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar se vendimi i Uashingtonit pritet të krijojë mundësi të reja për ekonominë siriane dhe të lehtësojë qasjen e vendit në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Rubio-s, ky vendim i hap rrugë Sirisë për një përfshirje më të madhe në ekonominë globale dhe krijon potencial për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Presidenti sirian, Ahmed al-Sharaa, e ka përshëndetur vendimin, duke falënderuar presidentin amerikan Donald Trump. Ai tha se largimi nga lista do të ndihmojë në rindërtimin e Sirisë, e cila ka pësuar dëme të mëdha gjatë luftës civile 14-vjeçare.
Me largimin e Sirisë, në listën amerikane të shteteve sponsorizuese të terrorizmit mbeten vetëm tri vende: Kuba, Koreja e Veriut dhe Irani./rtk


























